Studimi: E qeshura spontane dhe e qëllimshme vijnë nga pjesë të ndryshme të trurit

Një studim i ri ka zbuluar se e qeshura spontane dhe ajo e qëllimshme kontrollohen nga dy rrjete të ndryshme në tru. Gjetjet, të publikuara në revistën Trends in Neurosciences, ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mënyrën se si funksionon e qeshura dhe rolin e saj në komunikimin mes njerëzve.

Për shkak se është e vështirë të provokohet një e qeshur e sinqertë në laborator, studiuesit analizuan të dhënat nga pacientë me epilepsi, të cilëve u stimulohej truri me impulse elektrike gjatë përgatitjeve për operacion. Në disa raste, kjo stimulonte të qeshurën, ndërsa pacientët përshkruanin ndjesitë e tyre në kohë reale.

Sipas autores së studimit, Sophie Scott nga University CollegeLondon, ekzistojnë dy lloje të të qeshurës. E para është spontane dhe e pavullnetshme, si ajo që shpërthen

kur diçka është vërtet shumë qesharake dhe nuk arrijmë ta kontrollojmë. Ky lloj lidhet me emocionet dhe mund të shfaqet edhe te persona me sëmundje si Alzheimeri, skizofrenia apo çrregullime të caktuara neurologjike.

Lloji i dytë është e qeshura e qëllimshme, që përdoret kryesisht gjatë bisedave. Ajo kontrollohet me saktësi, fillon dhe mbaron shpejt dhe shërben si pjesë e komunikimit shoqëror.

Studiuesit zbuluan se rrjeti i të qeshurës spontane përfshin zona të trurit që lidhen me emocionet dhe humorin, ndërsa rrjeti i të qeshurës së qëllimshme aktivizon kryesisht zona që kontrollojnë lëvizjet e fytyrës dhe të të folurit.

Sipas bashkautorëve të studimit, këto zbulime mund të ndihmojnë në kuptimin e sëmundjeve neurologjike dhe psikiatrike, por edhe të rolit të të qeshurës në lehtësimin e dhimbjes. Studime të mëparshme kanë treguar se e qeshura mund të veprojë si një qetësues natyral, ndaj studiuesit synojnë të hetojnë më tej lidhjen mes të qeshurës, trurit dhe mekanizmave që ulin dhimbjen. / Talker News – Syri.net