Çfarë mund të na mësojnë Gaudí dhe Sagrada Família për lidershipin
Kur Papa Leoni XIV bekoi kullën më të lartë të Sagrada Famílias, që sfidon gravitetin, me 10 qershor, ai gjeti një moment për të kujtuar jo vetëm arkitektin e saj, Antoni Gaudí, por edhe shumë njerëz, punëtorë dhe donatorë, që kanë bërë të mundur ndërtimin e vazhdueshëm të saj gjatë 140 viteve të fundit.
"Së bashku me Gaudín, teksa përkujtojmë 100-vjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë dhe falënderojmë sonte të gjithë mbështetësit dhe bamirësit, artistët dhe punëtorët që bashkëpunuan në ndërtimin e kësaj kryevepre arkitekturore, e cila është gjithashtu një katekizëm i fuqishëm i ndërtuar me gurë, ngjyra dhe dritë", tha Papa në predikimin e tij në Sagrada Família gjatë vizitës në Spanjë.
Si profesor në një shkollë biznesi, kam shkruar studime rasti mbi Sagrada Famílian dhe shpesh i çoj studentët dhe pjesëmarrësit e programeve ekzekutive për ta vizituar.
Në pamje të parë mund të duket një vend i pazakontë për drejtues biznesi: një projekt gjigant dhe jashtëzakonisht ambicioz, krijuesi i të cilit vdiq kur ishte përfunduar vetëm një pjesë e vogël e punës, ndërsa ndërtimi është penguar vazhdimisht nga historia e trazuar 140-vjeçare e Barcelonës, nga zjarret dhe lufta civile te mungesa e fondeve dhe debatet mbi mënyrën se si duhet përfunduar një vepër kaq unike, e lidhur ngushtë me arkitektin e saj.
Sigurisht, Gaudí nuk ishte një udhëheqës i zakonshëm dhe Sagrada Família nuk është një kishë e zakonshme. Megjithatë, të dyja ofrojnë mësime të vlefshme për udhëheqjen, veçanërisht për vizionin, misionin dhe novacionin.
Si të krijosh një vizion
Vizioni i Gaudít për Sagrada Famílian nuk erdhi papritur. Ai ishte rezultat i viteve të tëra vëzhgimi dhe reflektimi.
Gaudí mori drejtimin e projektit në vitin 1883, duke trashëguar planet për ndërtimin e një kishe tradicionale neogotike. Fillimisht ai iu përmbajt atyre planeve, ndërsa rivlerësonte potencialin dhe qëllimin e vërtetë të ndërtesës.
Nga vitet 1890 ai kishte imagjinuar diçka shumë më madhështore: një bazilikë gjigante me 18 kulla dhe tri fasada monumentale. Vizioni i tij vazhdoi të zhvillohej për dekada, ndërsa përdorte projektet e tjera arkitekturore si laboratorë idesh që më pas i zbatonte në bazilikë. Me kalimin e kohës, vizioni i tij arkitekturor, me strukturën, simbolikën, gjeometrinë dhe spiritualitetin unik, u bë gjithnjë e më i plotë dhe më koherent.
Mësimi është i qartë: Gaudí guxoi të ëndërronte në përmasa të mëdha dhe e përsosi vizionin me durim derisa forma dhe qëllimi u bënë një. Vizioni rrallëherë është i përsosur që në fillim; ai ndërtohet me kalimin e kohës për të krijuar një drejtim kuptimplotë.
Si ta bësh vizionin frymëzues për të tjerët
Një vizion merr vlerë vetëm kur të tjerët arrijnë të shohin atë që sheh ti, kur frymëzohen t'i bashkohen përpjekjes tënde dhe e bëjnë atë edhe misionin e tyre.
Gaudí krijoi shumë vizatime dhe modele prej allçie të kishës që planifikonte dhe ishte i aftë t'i shpjegonte idetë me gjuhë të thjeshtë dhe metafora të gjalla. Ai u dha bashkëpunëtorëve të tij,farkëtarëve, gurgdhendësve dhe mjeshtërve të qeramikës, shumë prej të cilëve punuan me të gjatë gjithë jetës, lirinë të zgjidhnin detajet pa mbikëqyrje të vazhdueshme.
Falë kësaj, kur shumë nga vizatimet dhe modelet origjinale u shkatërruan në një zjarr pas vdekjes së tij, mjeshtrit arritën të rindërtonin një pjesë të madhe të projektit nga kujtesa dhe t'ua transmetonin brezave të ardhshëm të arkitektëve.
Përveç kësaj, ndërtimi i Sagrada Famílias kërkonte shuma të mëdha parash. Si tempull shlyes, ai financohej nga donacionet individuale dhe jo nga fondet publike. Gaudí e kuptoi se duhej t'i bindte njerëzit për madhështinë e projektit dhe t'i frymëzonte të kontribuonin.
Ai ishte një mbledhës i palodhur fondesh dhe investoi edhe fitimet e veta në realizimin e ëndrrës. Megjithatë, pjesa dërrmuese e fondeve erdhi nga mijëra donatorë individualë, duke e bërë këtë një vepër të krijuar nga populli dhe për popullin, të bashkuar rreth vizionit të Gaudít.
Ai i ftoi njerëzit të bëheshin partnerë në një mision të përbashkët, të motivuar nga një qëllim që prekte njëkohësisht arsyen dhe emocionet.
Novacioni që kalon brezat
Gjatë jetës së Gaudít, periudhat kur ndërtimi ngadalësohej shfrytëzoheshin për të reflektuar, për të ëndërruar dhe për të projektuar zgjidhje të reja. Pas përfundimit të projekteve të tjera, ai iu përkushtua plotësisht ndërtimit të Sagrada Famílias nga viti 1914 deri në vdekjen e tij në vitin 1926.
Bazilika është një revolucion në arkitekturë, duke ndërthurur bukurinë me parimet matematikore. Ndër risitë e saj janë kolonat që ngjajnë me trungjet e pemëve në vend të shtyllave të drejta, si edhe përdorimi i harqeve katenare në të gjithë strukturën.
Po aq e rëndësishme ishte edhe mënyra se si Gaudí përdori forma novatore, simbolikë dhe skulptura në fasada për të ringjallur besimin dhe për ta bërë mesazhin shpirtëror më të kuptueshëm e tërheqës për një shoqëri gjithnjë e më laike.
Edhe pse ishte jashtëzakonisht krijues, çdo risi e tij i shërbente një misioni më të madh: të sillte më shumë dritë, qëndrueshmëri dhe harmoni në ndërtesat që projektonte.
Mësimi që na lë Gaudí është i qartë: novacioni ka vlerë vetëm kur i shërben një qëllimi më të madh.
Pa dyshim, Gaudí ishte një udhëheqës ndryshe. Por ai na tregon se duhet të zgjerojmë mënyrën se si e përkufizojmë një udhëheqës.
Në një studim të fundit, unë dhe kolegët e mi analizuam se si dalin në pah udhëheqësit në ekipet që vetëorganizohen. Ky mjedis është interesant sepse tregon se si lind udhëheqja natyrshëm dhe jo përmes emërimeve nga lart.
Zbuluam se në ekipet e sapokrijuara, zakonisht dalin në krye njerëzit më të sigurt në vetvete dhe ata që kërkojnë role drejtuese. Por personi më imponues nuk është domosdoshmërisht udhëheqësi më i mirë në planin afatgjatë. Kjo ngre edhe pyetjen se çfarë e shtyn një njeri të dëshirojë të udhëheqë.
Në një ekip të ri, dëshira për të udhëhequr lidhet zakonisht me mënyrën se si një individ e sheh veten në atë rol dhe me motivimin e tij të brendshëm. Megjithatë, ka edhe udhëheqës që udhëhiqen nga një motivim tjetër, më komunitar, duke e parë udhëheqjen si një detyrë ose shërbim ndaj të tjerëve.
Këta njerëz përqendrohen më pak te vetja dhe më shumë te komuniteti. Cilësi të tilla si ndërtimi i besimit, bashkëpunimi dhe empatia nuk i bëjnë domosdoshmërisht të dallohen menjëherë në një ekip të ri, por bëhen gjithnjë e më të rëndësishme me kalimin e kohës. Ata lidhen me ngrohtësinë njerëzore dhe, siç tregoi studimi ynë, edhe me kompetencën.
Si udhëheqës, Gaudí i përket pa dyshim kësaj kategorie të dytë, më të qetë dhe më pak të dukshme. Këto cilësi u pasqyruan në vizionin, planifikimin dhe punën e tij gjatë gjithë jetës. Por edhe sot, një shekull pas vdekjes së tij, ato vazhdojnë të udhëheqin ekipin që ndërton Sagrada Famílian, një ekip që tashmë numëron 140 vjet histori dhe vazhdon ende punën. / TheConversation – Syri.net