Evropa në valë vdekjeprurëse të nxehti: mbi 1,000 viktima në Spanjë dhe bilanc në rritje në Itali e Francë

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po vijon të marrë jetë njerëzish, ndërsa Italia, Spanja dhe Franca raportojnë një bilanc gjithnjë e më të rëndë të viktimave.

Në Itali, pesë persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e temperaturave shumë të larta, ndërsa vendi mbetet nën ndikimin e një prej valëve më intensive të të nxehtit të viteve të fundit.

Ministria Italiane e Shëndetësisë ka vendosur 27 qytete nën alarmin maksimal të kuq. Mes tyre janë Roma, Milano, Napoli, Firence, Venecia, Torino, Palermo dhe Bolonja.

Gjatë ditëve në vijim, autoritetet kanë paralajmëruar për reshje intensive, stuhi dhe breshër në veri të vendit, të cilat më pas pritet të shtrihen edhe në Italinë qendrore.

Për të mbrojtur qytetarët dhe turistët nga temperaturat ekstreme, disa bashki kanë hapur falas muzetë, palestrat komunale dhe qendrat kulturore, duke i kthyer ato në hapësira ftohëse.

Bilanci më i rëndë deri tani raportohet në Spanjë. Autoritetet njoftuan se gjatë valës së fundit të të nxehtit janë regjistruar 1 mijë e 28 viktima në qershor, të lidhura me temperaturat ekstreme, më shumë se dyfishi i rasteve të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm më 23 qershor, në kulmin e valës së të nxehtit, rreth 35.7 milionë banorë, ose afro 73% e popullsisë së vendit, ishin të ekspozuar ndaj rrezikut shëndetësor. Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës bëri të ditur se gjysma e parë e vitit 2026 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit.

Edhe Franca po përballet me pasojat e temperaturave ekstreme. Autoritetet shëndetësore raportojnë se që nga java e kaluar janë regjistruar rreth 1 mijë vdekje më shumë se në të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme. Kryeministri francez deklaroi se më shumë persona kanë humbur jetën në banesat e tyre, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se këtë verë numri i viktimave mund t’i afrohet kufirit prej 7 mijë rastesh.

Ndërkohë, OBSH ka paralajmëruar se sistemet shëndetësore në të gjithë kontinentin po përballen me presion të madh për shkak të temperaturave ekstreme dhe ka thirrur një takim urgjent me shtetet evropiane më 6 korrik. Sipas vlerësimeve të organizatës, bilanci pritet të rritet në ditët në vijim.