Padova/ Arrestohet 21-vjeçari shqiptar, kapet me qindra doza kokaine dhe euro cash

Një 21-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane në Padova, pasi dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

I riu, banues në provincën e Breshias, mes komunave Este dhe Sant’Elena, rezulton të ketë qenë i njohur më parë për autoritetet. Pas marrjes së informacioneve operative, karabinierët organizuan postblloqe dhe ekipe vëzhgimi për të gjurmuar një automjet të dyshimtë, i cili ishte marrë me qira nga një kompani në Lombardi.

Ndërhyrja u krye në rrugën Via Principe Amedeo, në Este, ku efektivët e kapën të riun në momentin që, sipas hetimeve, po i shiste një dozë kokaine një 31-vjeçari vendas. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën edhe 12 doza të tjera kokaine, si dhe një shumë parash të gatshme.

Më pas, me ndihmën e njësisë së qenve antidrogë të Torreglia-s, kontrollet vijuan në dhomën ku 21-vjeçari kishte qëndruar ditët e fundit në Sant’Elena. Aty u sekuestrua një sasi e madhe kokaine, e ndarë në rreth 360 doza të gatshme për treg, si edhe 3,365 euro cash, të ndara në kartëmonedha me prerje të ndryshme, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti i shpërndarjes së drogës. Në përfundim të operacionit, shqiptari u arrestua dhe, me urdhër të Prokurorisë, u transferua në burgun e Rovigos.