Vata në PE: Shqipëria po përballet me krizë të demokracisë dhe dhunë ndaj protestuesve
Deputetja e Partisë Demokratike Denisa Vata, në një postim në rrjetet e saj sociale, ndau foto nga takimi me eurodeputetin Lukas Mandl në Parlamentin Europian, ku ngriti shqetësimin për përkeqësimin e standardeve demokratike në Shqipëri, dhunën ndaj protestuesve dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Sipas deputetes demokrate, ngjarjet e protestës së djeshme para Kuvendit, ku opozita denoncoi përdorimin e forcës nga policia, ishin pjesë e diskutimeve me përfaqësuesit e Parlamentit Europian, të cilët janë të informuar mbi situatën në Shqipëri dhe po e ndjekin me vëmendje ecurinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe procesit të integrimit europian.
Postimi:
Në Parlamentin Evropian, në kuadër të programit Young Political Leaders Programme – Western Balkans: Albania – Capacity and Consensus Building, zhvilluam një shkëmbim pikëpamjesh me eurodeputetin Lukas Mandl, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor në fushën e mbështetjes së demokracisë.
Gjatë diskutimit u ndala te sfidat që lidhen me funksionimin e demokracisë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore në Shqipëri. Në këtë kuadër, paraqita shqetësimet e mia mbi zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe ngjarjet e protestës së djeshme para Kuvendit dhe përdorimin e forcës ndaj protestuesve, çështje që kanë marrë vëmendje të gjerë publike.
Në të gjitha takimet e zhvilluara me përfaqësues të Parlamentit Evropian konstatuam se ata ishin të informuar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, të cilat u bënë pjesë e diskutimeve mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe procesin e integrimit evropian.