VIDEO/ Tela: ‘The Albanian Files’ sjell prova publike për projektet e Ramës, SPAK-u ka detyrimin të hetojë
Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, deklaroi se libri ‘The Albanian Files’ që ka nxitur debat publik për projektet në zonën e Zvërnecit përmban elementë që sipas tij duhet të shërbejnë si bazë për hetim nga SPAK-u.
Tela kujtoi se diskutimi mbi këtë botim ishte bërë publikisht që një javë më parë, duke theksuar se në Shqipëri shpesh projektet planifikohen dhe parapërgatiten përpara se të ndryshojnë kushtet ligjore që i bëjnë të mundshme.
Sipas tij, një nga akuzat më të rënda të ngritura në libër lidhet pikërisht me Zvërnecin.
Ai e cilësoi këtë një akuzë publike me rëndësi të veçantë, duke shtuar se drejtësia tashmë ka në dispozicion dokumente që mund të verifikohen.
Duke komentuar zhvillimet e fundit dhe reagimin e qeverisë ndaj kundërshtimeve publike, Tela u shpreh se po përdoret e njëjta skemë si në raste të tjera protestash. Sipas tij, në vend që të adresohet thelbi i kërkesave të qytetarëve, përpjekja përqendrohet te krijimi i debateve anësore dhe te identifikimi i personazheve të ndryshëm brenda protestës.
‘Ne fiks një javë më parë, besoj ishim në studion e parë që diskutuam mbi këtë libër.
Dhe pa hyrë shumë në detaje të librit, se ishin 800 faqe domethënë, ne shfletuam një pjesë të tyre. E thamë paraprakisht sepse në mjedisin shqiptar ne e dinim që planifikohej ndërtimi përpara...
biznesmenët ishin në dijeni të asaj që do të ndodhte dhe pastaj përgatiteshin letrat. Dhe akuza më e rëndë e këtij libri është kjo e Zvërnecit. Pra, projekti për një pjesë të Zvërnecit ishte bërë, ishte porositur në vitin 2022, në një studio të huaj. Ishte bërë projekti, dhe dy vite më pas ndryshon ligji për zonën e peizazhit të mbrojtur. Dhe e thamë po këtu në studio, asnjë biznesmen nuk do të blinte troje kur e dinte se në ato troje nuk mund të zhvillonte asgjë. Por duke e ditur se mbi ato troje i ishte dhënë leja paraprakisht, leja e komunikuar nga lart se aty mund të zhvillonte, atëherë blen trojet, porosit projektin dhe pret të ndryshojë ligji ashtu siç ka folur më parë. Kështu që kjo është një akuzë publike. Në këtë pikëpamje, SPAK-u mund të hetojë kryesisht duke pasur këtë dokument. Më tej mund të zhvillohet pastaj elementë të tjerë të librit apo denoncimi, ngritja e një padie në SPAK. Pjesa tjetër që vjen sot është sfidë e hapur ndaj të gjithë atyre që kanë denoncuar projektin.
Është e njëjta gjë që ka qenë që nga dita e parë, që e bën ndaj protestës duke i gjetur alibira dhe argumente nga më të ndryshmet për të kërkuar përçarjen, për të identifikuar personazhe, për ta zhvilluar debatin publik në elementë shumëngjyrësh të protestës, por duke identifikuar elementë mbi të cilët mund të prodhojë debat për të larguar vëmendjen nga ajo që është gjëja më kryesore: çfarë kërkon protesta.
Kjo është në dorën e drejtësisë. Pra, ne mund të flasim nga mëngjesi në darkë siç kemi folur për vite me radhë, por është në dorën e drejtësisë për të vepruar mbi provat publike.
Siç kanë dhënë në Tiranë, Teda e famshme e Tiranës.
Mënyra se si zhvillohen gjërat vazhdon e njëjta mënyrë. Tregon që nuk ka reflektim ndaj protestës, se kjo është e rëndësishme për t'u kuptuar. Pra, pavarësisht se herë pas here Edi Rama i drejtohet protestës me idenë që brenda protestës ka zëra që duhen dëgjuar, reagimi vazhdon të jetë i njëjtë si më përpara’, tha Andi Tela në SYRI TV.