Hoxhaj: Pas 'Osmanit' fshihen njerëz pranë Ramës, 88.5 hektarët zbulojnë pazaret me tokat publike

I ftuar në emisionin "Task Force", gazetari Julian Hoxhaj u shpreh se vendimi i qeverisë për t'i transferuar 88.5 hektarë tokë publike investitorit të huaj 'Osmani' përbën një nga rastet më të rënda të mënyrës se si po shpërndahet pasuria publike në Shqipëri.

 Ai deklaroi se nuk beson se pas këtij investimi qëndron vetëm emri i Osmanit, duke theksuar se ka indicie të forta se pas tij fshihen interesa të tjera shqiptare, të lidhura me njerëz pranë kryeministrit Edi Rama.

Hoxhaj tha se ky vendim, i marrë në kulmin e debatit për dhënien e tokave publike, dëshmon se kryeministri është i kapur nga pazaret që ka ndërtuar ndër vite dhe nuk mund të tërhiqet më prej tyre.

Gazetari paralajmëroi gjithashtu se investigimi i ri i bazuar në librin "The Albanian Fight, ‘ Kumbari" do të sjellë fakte dhe elemente të reja që, lidhin drejtpërdrejt kryeministrin, familjen e tij dhe studio të caktuara arkitekturore me favorizimin e projekteve publike, dhënien e tenderëve dhe ndarjen e pasurisë publike sipas interesave të pushtetit.

Pjesë nga deklarata:

Kjo është një histori e paparë, po themi, në të gjitha rastet kur është dhënë tokë publike. Sigurisht që unë nuk e besoj se Osmani po vjen të na ripushtojë përsëri pas 500 vjetësh. Unë besoj se aty, përsëri, fshihen njerëz që, për një ose dy arsye të ndryshme, nuk mund të shfaqen për momentin. Sigurisht që këta njerëz janë pranë kryeministrit.

Kam marrë indicie dhe po hetoj pas këtij rasti të sotëm. Më rezulton se ka indicie të forta që pas Osmanit fshihen shqiptarë. Është një çështje shumë, shumë interesante, por do t'i zbulojmë në të ardhmen.

Ajo që është e rëndësishme është t'i rikthehemi librit. Sonte me "The Albanian Fight", pra me "Kumbarin", ne tregojmë se atë që Rama ua tha shqiptarëve në gjuhë të huaj, që nuk është kumbari, në fakt libri, për këdo që e lexon me vëmendje, e vërteton se Rama është kumbari.

Studiot arkitekturore nuk kanë ardhur në vitin 2018, nuk kanë ardhur në vitin 2022 dhe as në vitin 2025. Ato kanë ardhur që në momentin kur Edi Rama shkeli në Bashkinë e Tiranës, ose ndoshta edhe më herët, në Ministrinë e Kulturës. Kanë ardhur që në vitin 2004, kur fillon, po themi, ai interesi i madh. Edi Rama ka bashkëudhëtuar me to. Pra, ka pasur një rrugëtim të përbashkët deri në ditët e sotme, ku kanë planifikuar dhe projektuar gjithçka së bashku, që Shqipëria të ndahej sipas interesave personale të kryeministrit.

Unë dua të them një gjë, sepse ndoshta janë juristët ata që duhet ta përcaktojnë nga pikëpamja e Kodit të Procedurës Penale. Por, nga këndvështrimi ynë si gazetarë, ai libër përmban disa elementë të veprave penale, ende pa u nisur apo pa u regjistruar një hetim penal. Sepse aty ke kompani të cilat, pasi kanë bërë projekte private, kanë bërë edhe projekte publike për kryeministrin. Pra, projekte që lidhen drejtpërdrejt me fushën e përgjegjësisë së kryeministrit Rama.

Këtu kemi të bëjmë me shkelje të barazisë në tendera, prishje të garës dhe disa elementë të tjerë të veprave penale. Sepse janë kompani që e kanë ditur se do ta fitonin atë projekt. Të gjitha këto ne do t'i shpalosim sonte.

Por ka edhe elementë që e lidhin ngushtësisht kryeministrin me këto studio arkitekturore, pra interesat e kryeministrit ose të familjes së tij me këto studio. Prandaj, postimi që sapo ka bërë kryeministri, mua më duket si një lloj paraprirjeje ose një shprehje e frikës.

Kryeministri i njeh personalisht të gjithë arkitektët. I di me detaje të gjitha projektet, pavarësisht se thotë që nuk i ka lexuar.

Po, ne do të zbulojmë edhe ato që, çuditërisht, nuk janë publikuar në libër, por që lidhen pikërisht me interesat e kryeministrit.

Tani, çfarë kanë përballë qytetarët shqiptarë? Qytetarët shqiptarë kanë, në fakt, një panoramë të qartë se nga kush qeverisen dhe se çfarë po ndodh me ta.

Edhe shprehja e arrogancës së ditës së sotme, për të transferuar 88.5 hektarë tokë te një investitor i huaj, pikërisht në kulmin e debatit që toka publike të mos përdoret dhe të mos jepet në këtë mënyrë, tregon se kryeministri është i kapur. Ai është në një situatë të tillë, sa nuk del dot më nga të gjitha ato pazare.

Folësi 2: Pra, nuk është vetëm arroganca...

Folësi 1: Nuk është çështje arrogance, është çështje kapjeje. Është çështje e mbajtjes së fjalës, sepse ai njeri u ka dalë garant. Sikundër ishte, për shembull, rasti kur qeveria u doli garant trafikantëve për ndërtimin e kullave.

Por ne kemi një rast akoma edhe më specifik: rastin e takimit të famshëm në Ankara, ku u vendos që tuneli i Llogarasë të jepej pa garë. Vetë kryeministri ishte në atë tryezë dhe, çuditërisht, kjo çështje nuk u hetua.

Të parët do të vijnë drejtorët e "5D", dhe sigurisht edhe shefi i tyre.