Vizita në Gjermani, Burimi: Me paratë e taksapaguesve Rama bën propagandë kundër protestuesve
Genc Burimi, i ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, kritikoi pjesëmarrjen e kryeministrit në një aktivitet për startup-et e inteligjencës artificiale në Gjermani, duke e akuzuar se e ka shfrytëzuar vizitën për qëllime politike.
Sipas Burimit, aktiviteti në fjalë ishte një forum ekonomik dhe jo një ngjarje politike, ndërsa ai pretendoi se kryeministri përdori fondet publike për të sulmuar protestuesit dhe kundërshtarët e tij politikë.
“Ky përdor paratë e shtetit për të shkuar atje dhe për të bërë politikë, për të sulmuar protestuesit. Si edhe në zgjedhje, vazhdon të përdorë paratë e shtetit për propagandë politike”, u shpreh Burimi.
Ai argumentoi se, nëse përfaqësuesit e qeverisë financohen nga taksapaguesit për të paraqitur qëndrimet e tyre në aktivitete ndërkombëtare, atëherë e njëjta mundësi duhet t’u ofrohet edhe protestuesve apo opozitës për të paraqitur versionin e tyre.
Burimi theksoi se, sipas tij, në vendet perëndimore ekziston një parim i pashkruar që drejtuesit politikë nuk përdorin aktivitetet jashtë vendit për të sulmuar kundërshtarët e tyre politikë.
“Po të ndodhte që Macron të shkonte në Silicon Valley dhe të bënte propagandë kundër opozitës franceze, do të ishte e paimagjinueshme”, deklaroi ai.
Në vijim, Burimi e cilësoi situatën si një “lojë të pabarabartë elektorale”, duke argumentuar se qytetarët që protestojnë janë po ashtu taksapagues dhe nuk duhet të financojnë, sipas tij, propagandën politike të qeverisë kundër tyre. Ai shtoi se kryeministri nuk e shfrytëzoi forumin për të diskutuar mbi inteligjencën artificiale, por për të folur kundër protestuesve, gjë që, sipas tij, “nuk ndodh kurrë në Perëndim”.
Burimi:
Kjo është krejt tjetër. Po dëgjo këtë, të shkojmë në thelb pak, të lutem më dëgjo. Shiko pashë këtë, ky është një panair që bëhet në Gjermani. Për startup-et e inteligjencës artificiale. Rrënja e 26-të e pra... është shumë e bukur. 150 euro është marrja e pjesëmarrjes. Është një forum krejtësisht ekonomik. Ky përdor paratë e shtetit për të shkuar për të bërë atje politikë, për të vjellur mbi protestuesit. Duke e kuptuar që dhe një herë si në zgjedhje, vazhdon dhe përdor paratë e shtetit për të bërë politikë.
Kundra atyre që e akuzojnë. Në të njëjtin rast t'u jepen paratë dhe protestuesve, të shkojnë dhe ata në këto forume të japin ata versionin e tyre. Shkon në sallë, thotë vazhdon algoritmi, vazhdon i shan, i trajton si nazista sepse ata që janë në bulevard sot paguajnë taksa.
Është temë tjetër, kjo është temë tjetër. Por në radhë të parë nuk e ftuan ata, dhe një herë është një panair, ky mund të jetë siç nesër në Paris bëhet panairi i lopëve dhe i derrave, që është salloni më i madh i bujqësisë.
Po ky shkon me paratë tona. Domethënë ky shkon paguan avionin, karburantin, hotelin, për të shkuar për të vjellur kundër atyre, plus që ka një parim perëndimor që kurrë nuk flet kurrë në politikë. Nuk flet për vendin tënd jashtë. Po ky shkon jashtë të gjejë rastin. Po atëherë t'i jepet kjo mundësi për të paraqitur argumenta edhe atyre njerëzve që janë në rrugë.
Kjo është e padrejtë. Edhe sot e kësaj dite po t'i thuash SPAK-ut sot, Braho thotë, më jepni mua jo në kodin penal shqiptar rastin elektoral, mundësi që t'i përndjekë. Jo zoti Braho, kjo është dhe një herë lojë e pabarabartë elektorale, sepse ata në bulevard paguajnë, mund të jenë në bulevard, mund të jenë nesër në parti, mund të jenë nesër në zgjedhje.
T'u jepen atyre paratë sot të shkojnë dhe ata, të paguajnë avion, hotel, të shkojnë në Parlamentin Evropian në Bruksel. Po ky sot me paratë e tyre, shkon dhe bën propagandë kundra tyre. Pra nuk shkoi në një forum për të folur për inteligjencën artificiale, por shkoi dhe një herë për të folur kundra protestuesve.
Kjo është e padrejtë, kjo s'ndodh në perëndim kurrë. Të shkojë Macroni sot në Silicon Valley dhe të bëjë propagandë kundra atyre që i bëjnë këtu në Francë opozitë, kundra elektoratit... po është një fjalë e paimagjinueshme.