Syri TV/ Kreu i SPAK dëgjesë në komisionin e Reformës Zgjedhore, Braho: Të përfshihet gjurmimi i parasë në hetime

Kreu i SPAK, Klodian Braho, kërkoi rishikim të politikës penale sa i përket korrupsionit zgjedhor dhe gjurmimin e parasë në hetimet që lidhen me krime zgjedhore. Deklaratat u bënë gjatë dëgjesës në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, ku pati debate edhe për rrjetin e patronazhistëve. Në komision zhvilloi dëgjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili kërkoi rishikim të kuadrit zgjedhor për veprat penale që cenojnë zgjedhjet e lira.

Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se shitblerja e votës, presioni ndaj zgjedhësve dhe përdorimi i burimeve administrative mbeten problematikat kryesore të zgjedhjeve, duke kërkuar që në hetime të përfshihet edhe gjurmimi i parave. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, me fokus krimet zgjedhore, drejtuesi i SPAK deklaroi se duhet rishikuar politika penale, si në raport me masën e dënimit dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor.

Komisioni u përfshi nga debate të forta pasi deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për rrjetin e patronazhimit të votës, i cili cilësohet si shqetësim jo vetëm në raportin e OSBE/ODIHR, por edhe në raportin e IBAR. Opozita e pyeti kreun e SPAK nëse janë hetuar rrjetet e patronazhistëve, ndërsa Braho deklaroi se kjo çështje nuk është kompetencë e SPAK.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë dëgjesës në komision, kërkoi rishikimin e kuadrit ligjor për veprat penale që cenojnë zgjedhjet e lira. Çela kërkoi më shumë burime njerëzore në prokurori dhe krijimin e një rrjeti të përhershëm koordinimi mes Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe Policisë së Shtetit për parandalimin dhe hetimin e krimit zgjedhor.