Bielsa shpërthen pas dorëheqjes: Turp që futbollistët milionerë nuk përqendrohen as 10 minuta
Marcelo Bielsa ka mbyllur aventurën e tij në stolin e Uruguait pas eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës 2026, por largimi i tij është shoqëruar me deklarata të forta që kanë bërë jehonë në botën e futbollit.
Trajneri argjentinas nuk i kurseu kritikat ndaj futbollistëve të kombëtares, duke reaguar ndaj raportimeve se lojtarët ishin ankuar për analizat e tij taktike me video, të cilat i konsideronin të gjata dhe të mërzitshme.
"Është e turpshme që profesionistë që fitojnë miliona janë të paaftë të qëndrojnë të përqendruar për më shumë se 10 minuta", deklaroi Bielsa në konferencën e lamtumirës.
Sipas tij, prezantimet taktike nuk kanë zgjatur kurrë më shumë se 10 minuta, pasi ai kishte pranuar kërkesat e lojtarëve për t'i shkurtuar dhe ndarë në seanca të ndryshme, me qëllim që të mos i mbingarkonte me informacion.
Megjithatë, Bielsa zbuloi se ankesat vazhduan edhe më pas, pasi futbollistët pretendonin se sërish ndiheshin të mbingarkuar me informacion para ndeshjeve të rëndësishme.
Trajneri 70-vjeçar shprehu gjithashtu zhgënjimin për faktin se puna e tij trevjeçare nuk u vlerësua siç duhej.
"Kam bindjen se askush nuk i ka dhënë rëndësi asaj që kam thënë në këto tre vite. Nuk ka problem, është në rregull edhe kështu", përfundoi ai.
Deklaratat e Bielsës pritet të ndezin debat në Uruguai, ndërsa largimi i tij mbyll një periudhë të mbushur me pritshmëri të mëdha, por që përfundoi me një eliminim të parakohshëm nga Botërori.