SYRI TV/ Promovohet libri ‘Tirania e Buzëqeshjes’, në promovim mori pjesë edhe Sali Berisha

U promovua këtë të mërkurë libri i autorit dhe studiuesit Ndriçim Kulla, me titull ‘Tirania e Buzëqeshjes’, një botim që ka në fokus një portret politik dhe psikologjik të Edi Ramës. Në fjalën e tij, autori e cilësoi qeverisjen 14-vjeçare të Ramës si një diktaturë moderne të bazuar te propaganda, spektakli dhe manipulimi psikologjik. Në promovim, mori pjesë edhe kreu i PD, Sali Berisha i cili akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor të shpopullimit dhe se vendi ndodhet sot në një regjim që funksionon jashtë rregullave dhe ligjit

SYRI TV

U promovua këtë të mërkurë libri i autorit dhe studiuesit Ndriçim Kulla, me titull "Tirania e Buzëqeshjes – Një portret politik dhe psikologjik i Edi Ramës". Duke shpjeguar qëllimin e botimit, Kulla hodhi akuza të forta ndaj qeverisjes 14-vjeçare të vendit, të cilën e cilësoi si një formë diktature. Sipas tij, kjo diktaturë nuk shfaqet më përmes tankeve, dhunës apo represionit fizik, por përmes estetikës, spektaklit, premtimeve dhe propagandës. Autori tha se në Shqipëri është ndërtuar një realitet artificial, ku gënjeshtra paraqitet si e vërtetë dhe ushtrohet një dhunë e heshtur psikologjike ndaj qytetarëve.

I pranishëm në promovim ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, ai u ndal te mesazhet e librit, ndërsa deklaroi se Shqipëria ndodhet sot në një diktaturë të bandave, drogës dhe krimit, një regjim që, sipas tij, funksionon jashtë rregullave dhe ligjit.

Berisha u shpreh se goditja më e rëndë që i është dhënë kombit shqiptar në vitet e fundit është zbrazja e vendit. Sipas tij, ky fenomen është rezultat i politikave të qëllimshme të mazhorancës. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se me politikat e ndjekura ka shkaktuar një shkretim demografik të paprecedentë, pasojat e të cilit, sipas tij, do të kërkojnë dekada për t'u rikuperuar.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te protestat e qytetarëve, të cilat i cilësoi si mrekullinë më të madhe që ka përjetuar vendi.