Arrestohen nëntë persona për mashtrim me tatime dhe derivate të naftës

Autoritetet në Kosovës thanë se kanë arrestuar nëntë të dyshuar gjatë një operacioni që shënjestroi një “grup të strukturuar kriminal”.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Prokuroria Speciale, Polica, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, “duke paraqitur dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës”.

Të arrestuarit, të identifikuar me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M., dhe G.Q., dyshohen për pesë vepra penale: Shpëlarje e parave, kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin si dhe shmangie nga tatimi.

Gjatë operacionit, që u zhvillua gjatë së mërkurës, janë kryer kontrolle në 21 lokacione.

Në operacion u sekuestruan pesë autobote për transport të derivateve, dokumente të ndryshme, para, armë e fishekë, vetura si dhe pajisje elektronike, thanë autoritetet, duke mos dhënë detaje të tjera për këtë rast./ REL/