‘Besoj se e mitura të do’, dalin mesazhet që rëndojnë pozitën e Bastonit, mbrojtësi i Interit mohon akuzat

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Milanos për akuzën e prostitucionit me të mitur, ndërsa nga dosja hetimore kanë dalë edhe disa biseda telefonike që prokurorët i konsiderojnë me rëndësi për çështjen.

Hetimi është pjesë e një operacioni më të gjerë të Guardia di Finanza ndaj një rrjeti të dyshuar eskortash dhe festash ekskluzive të organizuara për futbollistë të Serisë A. Sipas hetuesve, ngjarja e kontestuar daton në korrik të vitit 2020, kur Bastoni ishte 21 vjeç, sapo kishte nisur sezonin e tij të dytë me Interin dhe ishte beqar.

Sipas rikonstruksionit të prokurorisë, futbollisti dyshohet se kishte organizuar një takim me pagesë me një vajzë që në atë kohë ishte 17 vjeç e 8 muaj. Në dokumentet e hetimit janë përfshirë edhe biseda të zhvilluara mes Bastonit dhe një ndërmjetësi të identifikuar si Salamone.

Më 9 korrik 2020, ndërsa mbrojtësi po kthehej nga ndeshja Verona–Inter, ndërmjetësi i shkruante: “Besoj se e mitura të do”. Bastoni, sipas medieve italiane, pyeste për sjelljen e vajzës, ndërsa merrte përgjigjen se ajo “dëshironte të argëtohej”.

Një ditë më vonë, palët organizuan një darkë në Cinisello Balsamo. Në biseda, Bastoni shfaqte shqetësim për privatësinë e vendit, ndërsa ndërmjetësi e siguronte se do të gjendej një zgjidhje ose se vajza mund të shkonte në banesën e futbollistit.

Sipas dosjes, pas darkës të dy u drejtuan në shtëpinë e Bastonit. Gjatë natës, ndërmjetësi u dërgoi mesazhe si futbollistit, ashtu edhe vajzës për t'u siguruar se gjithçka po shkonte mirë. Vajza u përgjigj se ndodhej në banesën e tij dhe do të flinte aty, ndërsa të nesërmen Bastoni iu përgjigj shkurt: “Gjithçka në rregull, luan”.

Megjithatë, mbrojtësi i Interit i ka mohuar kategorikisht akuzat. Avokati i tij, Salvatore Scuto, deklaroi se klienti i tij nuk ka pasur kurrë marrëdhënie me pagesë dhe aq më pak me të mitura.

Edhe vetë Bastoni, sipas personave pranë tij, ka theksuar se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur gjashtë vite më parë, kur ishte 20 vjeç, sapo ishte transferuar tek Interi dhe ishte beqar.

“Nuk ka pasur kurrë asgjë me atë vajzë. Nuk kam qenë kurrë në dijeni se mund të ishte e mitur dhe nuk kam paguar asnjëherë ndonjë vajzë për marrëdhënie seksuale, aq më pak një të mitur”, është qëndrimi i futbollistit.

Bastoni pritet të merret në pyetje nga prokurorët e Milanos për të sqaruar pozicionin e tij. Ndërkohë, prokurori federal i Federatës Italiane të Futbollit, Giuseppe Chinè, do të kërkojë dokumentacionin e çështjes për të vlerësuar nëse ekzistojnë pasoja sportive, edhe pse deri tani nuk rezulton që ngjarjet e hetuara të kenë lidhje me aktivitetin futbollistik.