Vokshi në Asamblenë Politike: Shqipëria në moment kritik, PPE të qëndrojë në krah të shqiptarëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka mbajtur fjalën e saj në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE) të mbajtur në Vjenë në 29-30 Qershor, ka kërkuar mbështetjen e PPE-së për Rezolutën Emergjente për Shqipërinë, duke e cilësuar situatën në vend si një moment kritik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Në fjalën e saj, Vokshi falënderoi drejtuesit e PPE-së për vendosjen në rend dite të rezolutës, duke veçuar Presidentin e PPE-së, Manfred Ëeber, Sekretaren e Përgjithshme Dolors Montserrat, si dhe stafin e PPE-së për angazhimin në përgatitjen e dokumentit.
Sipas deputetes demokrate, rezoluta vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me një përkeqësim të thellë të standardeve demokratike.
Duke u ndalur te situata në vend, Vokshi foli për protestat qytetare që, sipas saj, prej javësh po zhvillohen në mënyrë paqësore nga mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të Gjeneratës Z.
Deputetja e PD-së akuzoi qeverinë se i është përgjigjur protestave me presion dhe sulme ndaj qytetarëve.
Sipas Vokshit, rezoluta mbështetet mbi gjetjet e Misionit të PPE-së dhe kërkon dialog politik gjithëpërfshirës, si dhe zgjidhje tranzitore, përfshirë një qeveri kujdestare ose teknike, me synim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe rivendosjen e besimit të qytetarëve.
Fjala e deputetes së PD, Albana Voshi:
Presidenti Berisha do të paraqesë përfundimet e Misionit të PPE-së dhe situatën e përgjithshme në Shqipëri, unë do të ndalem shkurtimisht në disa pika.
Së pari, faleminderit!
Falënderoj Presidentin Weber, Sekretaren e Përgjithshme Dolors Montserrat, Presidencën e EPP, që miratuan dhe pranuan të vënë në rendin e ditës këtë Rezolute Emergjente për Shqipërinë.
Falënderoj Patrick dhe Stafin e PPE-së për punën e tyre gjatë gjithë fundjavës për ta bërë këtë të mundur. Fakti që nuk ka asnjë amendament tregon që kam bërë një punë të mirë bashkë me Patrick.
Së dyti, pse kjo rezolutë sot?
Sepse Shqipëria ka arritur në një moment kritik.
Rrëshqitja demokratike, kapja e shtetit, korrupsioni dhe shkrirja e plotë e kufirit ndarës mes shtetit dhe partisë kanë detyruar dhjetëra mijëra qytetarë të dalin në rrugë në protesta paqësore në Shqipëri dhe përtej.
Të gjitha këto janë konfirmuar nga raportet e ODIHR, V-Dem, AFET, Parlamenti Europian, vlerësimi IBAR i Komisionit Europian dhe, mbi të gjitha, nga përfundimet e Raportit të Misionit të PPE-së.
Së treti, çfarë po ndodh në Shqipëri?
Prej gati një muaji, çdo ditë, dhjetëra mijëra qytetarë-kryesisht të rinj të Gjeneratës Z-protestojnë. Në mënyrën më dinjitoze, paqësore dhe plot ngjyra, ata nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë thjesht një të ardhme në vendin e tyre, ku të mbizotërojë merita, ku institucionet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo partive politike, dhe ku sundimi i ligjit të zbatohet njësoj për të gjithë.
Ajo që nisi si një protestë për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë është shndërruar në një lëvizje qytetare mbarëkombëtare kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe aleancës mes pushtetit politik, interesave oligarkike dhe krimit të organizuar.
Përgjigjja e qeverisë nuk ka qenë dialogu. Ka qenë fyerja, intimidimi, fushatat denigruese dhe ndjekja ligjore e protestuesve paqësorë. Kryeministri Rama ka mallkuar qytetarët e tij, ndërsa ka shpikur si armiq algoritmet dhe “forcat e huaja” që, sipas tij, po përpiqen të destabilizojnë Shqipërinë.
Së fundi, çfarë kërkojmë sot nga PPE-ja?
Ne nuk kërkojmë vetëm mbështetje për Partinë Demokratike. Ne kërkojmë që PPE të qëndrojë në krah të qytetarëve shqiptarë dhe të mbrojë parimet e saj dhe vlerat europiane: demokracinë, shtetin e së drejtës, zgjedhje të lira, të ndershme dhe konkurruese, një reformë zgjedhore të mirëfilltë, ndarjen e qartë të shtetit nga partia, përgjegjësinë për krimet zgjedhore, çmontimin e rrjeteve të patronazhit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Kjo rezolutë pasqyron gjithashtu, dhe ngrihet mbi përfundimet e Misionit të PPE-së, duke bërë thirrje për dialog politik gjithëpërfshirës dhe për zgjidhje tranzitore-përfshirë një qeveri kujdestare ose teknike-me qëllim rivendosjen e besimit dhe garantimin e zgjedhjeve vërtet të lira dhe konkurruese.
Në demokraci, gjithçka fillon me votën dhe përfundon me votën.
Qytetarët shqiptarë kanë zgjedhur të protestojë në mënyrë paqësore, demokratike dhe proeuropiane. Prandaj i bëjmë thirrje PPE-së të qëndrojë në krah të qytetarëve shqiptarë dhe të ndihmojë në rikthimin e shpresës.
Ju ftoj të gjithëve ta mbështesni këtë Rezolutë Emergjente.
Faleminderit.