Bonusi për pensionistët/ PL: Përpjekje e qeverisë për të mbuluar me propagandë dështimin...

Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për shpërndarjen e një bonusi veror prej 5 mijë lekësh për pensionistët, duke e cilësuar atë jo si politikë sociale, por si një tjetër instrument propagandistik për të mbuluar dështimin shumëvjeçar në sistemin e pensioneve.

Zëdhënësja e Presidentit të PL, Jasmira Memelli u shpreh se pensionistët shqiptarë po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës, pensione të pamjaftueshme dhe mungesë të një strategjie të qëndrueshme, ndërsa qeveria vijon të ofrojë masa të përkohshme që nuk zgjidhin krizën reale të kësaj shtrese.

Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për një reformë të plotë të sistemit të pensioneve.

Deklarata e Zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Znj. Jasmira Memelli.

Vendimi i fundit i qeverisë për të shpërndarë një bonus veror prej 5 mijë lekësh për pensionistët nuk përfaqëson një politikë sociale serioze, por një tjetër përpjekje për të mbuluar me propagandë dështimin shumëvjeçar në trajtimin e gjendjes dramatike të pensioneve në Shqipëri.
Prej vitesh, pensionistët shqiptarë janë shtresa më e goditur nga rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës. Çmimet e ushqimeve bazë, ilaçeve, energjisë, ujit dhe çdo shërbimi tjetër janë rritur ndjeshëm, ndërsa pensionet kanë mbetur larg nevojave minimale për një jetë dinjitoze. Në vend që të ndërtojë një politikë të qëndrueshme për rritjen progresive të pensioneve, qeveria vazhdon të zgjedhë rrugën më të lehtë: bonuset e përkohshme, të shpërndara në momente të caktuara, të shoqëruara me një fushatë të gjerë propagandistike.
Realiteti është edhe më i rëndë. Një pjesë e madhe e pensionistëve shqiptarë mbijetojnë falë ndihmës financiare të fëmijëve dhe familjarëve të tyre që jetojnë e punojnë në emigracion. Për shumë familje, remitancat janë bërë burimi kryesor i të ardhurave për të përballuar ushqimet, ilaçet dhe shpenzimet e përditshme. Por edhe kjo mbështetje po humbet vlerë, pasi zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka bërë që çdo euro e dërguar nga emigrantët të ketë fuqi më të ulët blerëse në Shqipëri. Kjo do të thotë se pensionistët përballen me një goditje të dyfishtë: pensione të pamjaftueshme dhe remitanca që vlejnë gjithnjë e më pak, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të mbeten të larta.
Ky është modeli që qeveria ka ndjekur prej kohësh. Në vend të reformës, bonusi. Në vend të një strategjie afatgjatë, spektakli mediatik. Në vend të respektit për pensionistët, trajtimi i tyre si subjekt elektoral që mund të kënaqet me një pagesë simbolike një ose dy herë në vit.
Pesë mijë lekë nuk ndryshojnë jetën e asnjë pensionisti. Ato nuk mbulojnë shpenzimet mujore për ilaçet. Nuk paguajnë faturat. Nuk përballojnë rritjen e çmimeve të ushqimeve. Nuk rikthejnë dinjitetin e humbur të njerëzve që kanë punuar për dekada të tëra dhe që sot jetojnë në kufijtë e varfërisë.
Qeveria duhet t'u përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta.
Pse Shqipëria vazhdon të ketë ndër pensionet më të ulëta në rajon, ndërkohë që propaganda qeveritare flet çdo ditë për rritje ekonomike, turizëm rekord dhe të ardhura më të larta në buxhet?
Pse nuk ekziston ende një formulë e qartë ligjore për rritjen progresive të pensioneve, që çdo pensionist të dijë se pensioni i tij do të rritet në mënyrë të parashikueshme, sipas inflacionit dhe rritjes ekonomike?
Pse pensionistët duhet të mbështeten te fëmijët e tyre në emigracion për të siguruar jetesën, ndërkohë që edhe remitancat po zhvlerësohen nga rënia e kursit të euros?
Pse pensionistët duhet të presin bonusin e radhës, në vend që të marrin çdo muaj pensionin që meritojnë?
Këto pyetje nuk marrin përgjigje, sepse qeveria nuk ka një plan të vërtetë për pensionet. Ajo ka vetëm një strategji komunikimi.
Është domethënëse që ky bonus shpallet pikërisht në një kohë kur prej 31 ditësh vazhdon protesta historike e qytetarëve. Në vend që të reflektojë ndaj kërkesave të qytetarëve, ndaj pakënaqësisë në rritje dhe ndaj krizës së besimit, qeveria zgjedh edhe një herë propagandën. Bonusi përdoret si instrument politik për të krijuar perceptimin se po ndihmohen pensionistët, ndërkohë që problemi i vërtetë mbetet i pazgjidhur.
Qeveria nuk mund ta blejë dinjitetin e pensionistëve me 5 mijë lekë.
Njerëzit që kanë ndërtuar këtë vend, që kanë kontribuar për dekada me punën dhe taksat e tyre, nuk kërkojnë lëmoshë. Ata kërkojnë drejtësi. Ata kërkojnë që pensioni të jetë rezultat i kontributit të tyre dhe t'u garantojë një standard jetese normal.
Shqipëria ka nevojë për një reformë të plotë të sistemit të pensioneve. Ka nevojë për një plan shumëvjeçar të rritjes progresive të pensioneve, të lidhur me inflacionin, me rritjen e pagës mesatare dhe me zhvillimin ekonomik të vendit. Ka nevojë për politika që mbrojnë fuqinë blerëse të pensionistëve dhe jo për pagesa simbolike që konsumohen brenda pak ditësh.
Një shtet serioz nuk mat suksesin me numrin e bonuseve që shpërndan, por me aftësinë për t'u garantuar qytetarëve siguri ekonomike dhe dinjitet.
Partia e Lirisë, në programin e saj "5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus", i ka dhënë një fokus të veçantë pensioneve, duke garantuar ndër të tjera një plan të qëndrueshëm për rritjen progresive të pensioneve, mbrojtjen e fuqisë blerëse dhe indeksimin e drejtë në përputhje me inflacionin dhe koston reale të jetesës.
Ndërsa qeveria vazhdon të kujtohet për pensionistët vetëm nëpërmjet bonuseve të përkohshme dhe propagandës, Partia e Lirisë beson se pensionistët meritojnë politika afatgjata, serioze dhe të qëndrueshme. Pensioni nuk është lëmoshë dhe nuk duhet të përdoret si instrument propagandistik. Ai është një e drejtë e fituar pas një jete pune dhe duhet të garantojë një jetë me dinjitet.
Kjo është sfida që qeveria vazhdon ta shmangë. Dhe për këtë arsye, asnjë bonus nuk mund ta fshehë dështimin e saj.

Faleminderit!