I amortizuar prej vitesh/ ARRSH hap tenderin 14.5 mln euro për Lotin 3 të rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur procedurën e prokurimit për projektin “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 3”, me një fond limit prej 1,36 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 14.5 milionë euro pa TVSH.
Procedura përfaqëson fazën e tretë të investimit, pasi dy lotet e para të kësaj rruge janë prokuruar më herët dhe ndodhen në zbatim.
Projekti është pjesë e rikonstruksionit të aksit Tiranë – Ndroq – Plepa, një rrugë kombëtare e ndërtuar disa dekada më parë, e cila ka shërbyer tradicionalisht si një nga lidhjet mes Tiranës dhe jugut të vendit.
Sipas dokumentacionit teknik të ARRSH-së, infrastruktura ekzistuese, përfshirë urat dhe veprat e artit, pasqyron standardet dhe teknologjinë e kohës kur është ndërtuar.
Dokumentet evidentojnë se rruga ka gjerësi rreth 7 metra dhe paraqet dëmtime të konsiderueshme në shtresat asfaltike, deformime të trupit të rrugës, kthesa me rreze të vogla në disa segmente, si dhe zona problematike me rrëshqitje dhe kalime në zona të banuara.
Gjithashtu, në disa ura janë kryer ndërhyrje të pjesshme ndër vite, ndërsa mbivendosja e shtresave asfaltike pa skarifikim ka ndryshuar nivelet e karrexhatës.
Sipas ARRSH-së, degradimi i aksit ka ndikuar në uljen e trafikut që e përdor atë, duke orientuar një pjesë të lëvizjes drejt autostradës Tiranë–Durrës. Aktualisht, edhe kjo autostradë po i nënshtrohet punimeve për zgjerimin e kapacitetit.
Fakti që dy itinerare të rëndësishme që lidhin Tiranën me Durrësin dhe me jugun e vendit janë njëkohësisht në procese punimesh mund të krijojë vështirësi të përkohshme në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në periudhat me fluks të shtuar trafiku./ Monitor/