‘A garantohet fshehtësia e votës?’/ Ndoja-SPAK-ut: Grupi i strukturuar kriminal nuk duhet të mbetet vetëm term

Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ngriti një sërë shqetësimesh gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Reformës Zgjedhore me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, duke u fokusuar te efikasiteti i hetimeve për krimet zgjedhore dhe nevoja për ndërhyrje ligjore që, sipas tij, do të garantonin zgjedhje më të lira dhe të ndershme.

Ndoja kërkoi një qasje më aktive nga institucionet ligjzbatuese, duke kritikuar vonesat në trajtimin e kallëzimeve zgjedhore dhe duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e konceptit "grup i strukturuar kriminal".

Ndoja solli gjithashtu në vëmendje çështjen e fshehtësisë së votës së diasporës, duke kërkuar një vlerësim juridik nëse mënyra aktuale e organizimit të procesit mund të cenojë parimet kushtetuese të votimit të fshehtë.

Arjan Ndoja: Atëherë çfarë ndodh, ne që kemi punuar në këtë profesion e dimë. Tani shtrohet problemi, efikasiteti, kohëzgjatja e procedimeve duhet të jetë më e shpejtë në këndvështrimin tim. Në qoftë se ne duam t'i sigurojmë zgjedhje të lira këtij vendi, ne duhet të bëjmë ndërhyrje të menjëhershme ligjore dhe kjo nuk është përgjegjësia juaj. E dyta që kam unë problem... prapë është problem praktik por që ka gjetur një këndvështrim të parë edhe në funksion të zgjedhjeve të lira. Koncepti i këtyre grupeve të strukturuara kriminale. SPAK-u në këndvështrimin tim fjalën grup i strukturuar kriminal e përdor si refren në shumicën e rasteve. Në këto kushte, ka indicie që mund të dalin nga vepra të caktuara penale që janë jashtë këtij kuadri zgjedhor, por që mund të kenë indicie. Në shumë raste ne e shtrijmë gamën e hetimit nëpërmjet termit grup i strukturuar kriminal, ndërsa tek zgjedhjet ne ndalemi, kompetenca ime, kompetenca e prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm. Pra në qoftë se ne duam të shkojmë drejt një produkti që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme dhe të ndikohet sa më shpejt, kam mendimin se siç e përdorni në rastet e tjera, përdoreni dhe tek zgjedhjet këtë gjë, që të ketë efikasitet. Konstatimi im është që struktura që u ngrit për zgjedhjet nuk ishte efikase në kohë. Domethënë kur bëhej kallëzim, referim, sinjalizim për ngjarje konkrete, nuk arrije dot që të bësh atë bashkërendimin mes institucioneve siç ishte Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ e të tjera me radhë, shërbimet operacionale gjurmuese ku di unë, që të arrihesh drejt një produkti konkret kur bëhej fjalë për kallëzimin, pavarësisht përmbajtjen e dini ju ata që e kanë bërë. Pyetja ime e fundit që ka... e para dhe e fundit të tjerat ishin konstatime, ka të bëjë me një dispozitë që lidhet me një konstatim tuajin. Po marr nenin 327 të Kodit Penal, shkelja e fshehtësisë së votimit mos gabohem. E keni të ndarë me paragrafe dhe siç thoni ju të gëzon të njëjtën mbrojtje edhe subjekti i posaçëm, edhe subjekti i cili është i ngarkuar... gëzon më falni të njëjtën regjim ndëshkimi, penalizimi, edhe subjekti shtetas, zgjedhës, por edhe personi i ngarkuar me zgjedhjet. Fjala person i ngarkuar me zgjedhjet.

Neni 45 i Kushtetutës thotë: vota është vetjake, e lirë, e barabartë dhe e fshehtë. Nëpërmjet Kodit Zgjedhor, meqenëse u referua që dy bashkëkryetarët janë edhe baballarë të reformës kushtetuese dhe mbajnë përgjegjësi për çfarë është bërë, të paktën kështu tha njëri nga ata, më rezulton që nëpërmjet pjesëmarrjes së diasporës në votim, mënyrës se si është ndërtuar Kodi Zgjedhor, ku Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, institucionet përkatëse nuk garantojnë fshehtësinë e votimit, unë mendoj që shkelet edhe neni 45 i Kushtetutës edhe ky neni 327. Hipotetikisht si kazus, edhe si kolegë, si ish-koleg i juaj, kush do mbante përgjegjësi për këtë gjë? A do konsiderohej shkelje ligjore? A do konsiderohej shkelje ligjore mënyra e ndërtimit të Kodit Zgjedhor? Sepse ne na ka pranuar Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në raportim vjet, ja kam bërë pyetjet drejtpërdrejt, a shkelet parimi kushtetues i fshehtësisë, shkeljes së fshehtësisë së votimit, neni 45 i Kushtetutës? Dhe ka pranuar që po, publikisht, në seancë, në Komision të Ligjeve. Ju në këndvështrimin tuaj si jurist nuk ka të bëjë me emra kjo pyetja ime kështu që nuk intimidon as për çështje konkrete. Pra Kushtetuta thotë votimi i fshehtë. Çfarë na ndodh ne me votimin e diasporës? Një kryefamiljar mbledh gjithë anëtarët e familjes së tij, djemtë, nuset e djemve, të tjerë me radhë, personat madhorë të familjes që mund të votojnë. Dhe duke qenë se ne, organizmi përkatës që administron zgjedhjet, Komisioneri Shtetëror, Komisioni Rregullator e të tjera ata që nxjerrin akte për të rregulluar procesin zgjedhor, nuk sigurojnë një ambient ku të shkohet të votohet që të jetë i fshehtë, pra ajo kutia e fshehtë e votimit, realisht ka ndodhur, janë dhe të dokumentuara në rrjete sociale e këto që ky votimi bëhet në mënyrë kolektive, absolutisht nuk bëhet e fshehtë. Në këndvështrimin tuaj kjo dispozitë ligjore që kemi në nenin 327 të Kodit Penal, duke qenë se ligji për zgjedhjet është dispozita referuese, pra Kodi Penal është dispozitë blankete që ne i referohemi ligjit përkatës që është Kodi Zgjedhor, ata kanë të njëjtën barazvlerë përsa i përket mënyrës së hartimit si ligj por nga pikëpamja penale Kodi Penal referohet tek ajo për ta gjetur si shkelje. A mendoni ju personalisht që kjo është shkelje e fshehtësisë së votimit? Mendimin tuaj juridik. Faleminderit.