Berisha: Trilogjia e Ndriçim Kullës tregon se diktaturat si të Edi Ramës mund të shfarosin kombin

Kryetari i Partisë Demokratike ka marrë pjesë në promovimin e librit Tirania e Buzëqeshjes - Një portret politik dhe psikologjik i Edi Ramës.

“Trilogjia e Ndriçim Kullës tregon se diktaturat si të Edi Ramës mund të shfarosin kombin”, tha kreu demokrat.

Berisha: I nderuar zoti Ndriçim Kulla, të nderuar të pranishëm, deputetë, miq të autorit.

Sot, ne mblidhemi për promovimin e një kryevepre të vërtetë letrare, artistike, politike të realitetit të sotëm shqiptar si pjesë e një trilogjie, në të cilën Ndriçim Kulla, njëri nga intelektualët më të shquar të kombit, studiuesit më serioz i kushton sistemit aktual politik, por lë dhe një trashëgimi të një rëndësie të jashtëzakonshme për brezat që vijnë.

Ndriçim Kulla është intelektuali, është shkrimtari, është studiuesi i përkushtimit të jashtëzakonshëm të çështjeve të qytetarit shqiptar dhe të vendit.

Të dashur miq, ne jemi në opozitë prej 13 vitesh, por u garantoj se njëri nga problemet më madhore tonat individuale, kolektive, partiake si të doni ta quajmë, ka qenë vështirësia jonë për të njohur realitetin në të cilin jetonim.

Dhe kjo në fakt, duhet të jem i sinqertë, nuk është se nuk na lëndon sepse për një audiencë politike, për një konstituencë politike, kjo nuk duhej të ishte.

Një gjeneratë që jetoi diktaturën totalitare, diktaturën autokratike edhe mund ta nuhasë, mund ta ndjejë.

Gjenerata që nuk jetoi diktaturën totalitare, realisht nuk e ka të lehtë.

Mirëpo ka një problem këtu. Ka një problem shumë, shumë themelor.

Historiani i mirënjohur i diktaturave, Samuel Huntington, i cili ka ardhur edhe në Shqipëri për të studiuar diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, në librin e tij, diktaturën më të keqe nuk e quan diktaturën komuniste, nuk e quan diktaturën naziste, nuk e quan diktaturën teokratike, diktatura më e keq mbi tokë është diktatura e bandave, diktatura e drogës, diktatura e krimit.

Ajo, thotë Huntington, është diktatura më e keqe e të gjitha llojeve të diktaturave sepse ajo nuk ndjek asnjë rregull, asnjë ligj.

Ato të tjerat kanë disa rregulla të këqija, po i shkele, e pëson. Kurse këtu jo.

Dhe ne jemi sot në këtë diktaturë në të cilën diktatori që i ka bërë vendit atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtim tjetër, një shkretim demografik më të madh se çdo pushtues në kohëra përveç murtajës së zezë të vitit 1300, para syve tanë, para nesh.

Dhe ia ka bërë me politikat e tij të qëllimshme.

Nuk ka dëm më të madh që mund t’i bësh këtij kombi, shqiptarëve me politikat më të arrira mund t’u duhet gjysmë shekulli për të kapur demografinë që kishin.

Por, trilogjia e Ndriçim Kullës është një apel për shqiptarët, mos u dëshmoni si shqiptarët e fillimshekullit të 21, sepse diktaturat e llojit të Edi Ramës mund të shfarosin plotësisht këtë komb.