Beccacece largohet nga Ekuadori: I them lamtumirë një familjeje të bukur

Sebastian Beccacece nuk është më trajneri i kombëtares së Ekuadorit. Pas eliminimit në fazën e 1/16-ave të Botërorit 2026 nga Meksika, tekniku argjentinas ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i përfaqësueses.

Në një intervistë për DS Sports, Beccacece konfirmoi fundin e aventurës së tij, duke shpjeguar se kontrata e tij kishte përfunduar bashkë me rrugëtimin e Ekuadorit në Kupën e Botës.

“Kontrata jonë përfundonte me mbarimin e Botërorit dhe sot gjithçka ka përfunduar. Nuk arritëm të realizojmë objektivin për të bërë Botërorin më të mirë në historinë e Ekuadorit. Ishte shumë e dhimbshme që nuk ia dolëm me këtë grup kaq të bashkuar. Nuk ishte ajo që kishim imagjinuar, do të doja të vazhdoja edhe një ndeshje tjetër. Rezultatet janë ato që vendosin gjithçka, duhet t’i them lamtumirë një familjeje të bukur”, u shpreh ai.

Ekuadori u ndal në fazën e 1/16-ave pas humbjes ndaj Meksikës, duke mbyllur kështu një rrugëtim që kishte krijuar pritshmëri të mëdha, por që nuk arriti të shkojë më larg në Botërorin 2026.