VIDEO/ Irena Gjoka amniston rilindasen e Ramës, kryetaren e Bashkisë së Roskovecit
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshme kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi. Ajo akuzohej nga SPAK për veprën penale “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike”.
Në vendimin e dhënë, gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, ka argumentuar se nga shqyrtimi gjyqësor nuk provohet që kryebashkiakja ta ketë kryer veprën penale për të cilën rëndonte akuza. Gjatë gjithë fazës së hetimit dhe të gjykimit, Majlinda Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë.
Ky vendim pafajësie vjen në një kohë kur prokuroria e posaçme kishte kërkuar një masë dënimi për Bufin. Në pretencën e saj, SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakes me 1.6 vite burgim.
Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ky dënim zbriste në 1 vit burg. Më tej, prokuroria kishte kërkuar pezullimin e dënimit me burg dhe vendosjen e kryebashkiakes në shërbim prove për një periudhë prej 2 vitesh.