Banorët e Vërdovës kundërshtojnë projektin për lumin në Unazë, kërkojnë ruajtjen e urave

Banorët e fshatit Vërdovë kanë shprehur kundërshtimin ndaj projektit për sistemimin e lumit në zonën e Unazës, segment i dëmtuar nga përmbytjet e nëntorit të vitit të kaluar. Gjatë një dëgjese me përfaqësues të Bashkisë Pogradec, ata kërkuan që projekti të rishikohet, duke argumentuar se ndërhyrjet e planifikuara mund të kufizojnë hyrje-daljet në banesat e tyre. Sipas banorëve, investimi duhet të përqendrohet në pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumit, ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese, pa cenuar urat që sigurojnë lidhjen e banesave me rrugën kryesore.

“Problemi ynë është që urat të rrinë siç janë dhe të rregullohet lumi. Të bëhet muri matanë, të forcohet edhe këtej, të zgjerohet dhe të bëhet i fortë. Ne nuk jemi dakord me këtë projekt që kanë bërë. Kërkojmë të zgjerohet, të pastrohet dhe të shtrohet.”

Ata shprehen se hapësira e kalimit e parashikuar në projekt, rreth 1.5 metra, nuk është e mjaftueshme për të garantuar lëvizjen normale të banorëve, veçanërisht në rastet kur nevojitet kalimi i personave të moshuar, të sëmurë apo mjeteve.

“Si do kaloj unë me atë një metër e gjysmë që do futem në shtëpi me të sëmurë, i paralizuar?! Ne kërkojmë të sistemohet lumi, të betonohet dhe urat të mbeten siç janë, që të komunikojmë me shtëpitë tona dhe të futim makinat e mjetet bujqësore.”

Banorët theksojnë se problemi me lumin vazhdon prej rreth 30 vitesh dhe se deri më sot nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme. Ata kërkojnë ndërhyrje të plotë në shtratin e lumit dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse për të parandaluar përmbytje të tjera.

“Kemi 30 vjet me këtë lumë që vuajmë kështu. Duam që kjo punë të bëhet e saktë. Të bëhen dy mure të plota, të zgjerohet dhe pastrohet fundi i lumit, që edhe ne të kemi mundësi të kalojmë.”

Këshilltari i pavarur në Bashkinë Pogradec, Arbër Male, tha se gjatë konsultimeve u vu re se një pjesë e banorëve nuk ishin informuar plotësisht mbi projektin dhe se ata kërkojnë një zgjidhje afatgjatë për problematikën.

“Banorët janë të painformuar sa i përket projektit të sistemimit të lumit. Ata kërkojnë sistemimin e ujërave të zeza, thellimin e shtratit të lumit dhe një zgjidhje përfundimtare për prurjet që vijnë nga mali. Shpresoj që të gjendet një rrugë e përbashkët mes banorëve dhe bashkisë dhe propozimet e tyre të merren në konsideratë.”

Takimi përfundoi pa një dakordësi mes palëve, ndërsa banorët këmbëngulin që kërkesat e tyre të përfshihen në projekt përpara se të nisin punimet.