‘Albanian Files’ dorëzohet në SPAK/ Protestuesit: Prova e krimit e qeverisjes së Ramës dhe eksponentëve të PS

Në ditën e 32-të të protestave qytetare, përfaqësues të shoqërisë civile janë paraqitur përpara godinës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të dorëzuar libër voluminoz, ‘Albanian Files’, që sipas tyre është "arma e krimit" e kryeministrit Edi Rama.

Dokumenti i dorëzuar si provë përmban detaje për 523 projekte të ndryshme ndërtimi, një pjesë e të cilave po ngrihen në zona të mbrojtura dhe hapësira publike, duke ngritur akuza të rënda për korrupsion dhe bashkëpunim me oligarkinë.

Në një deklaratëpër mediat pas nënshkrimit të firmave nga aktivistët, përfaqësuesit e protestës pretendojnë se ligjet në vend, në veçanti ligji 21/24, është ndryshuar me porosi për t'u shërbyer interesave të biznesmenëve.

Si shembull konkret u përmendën projektet e Zvërnecit, të cilat akuzohen se kanë ekzistuar si plane që në vitin 2022, shumë kohë përpara se të bëheshin ndryshimet ligjore në parlament. Gjithashtu, u denoncua një konflikt i hapur interesi, pasi kryeministri mban edhe postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), duke pasur fuqinë e miratimit të këtyre investimeve.

Krahas dorëzimit të provave dhe paralajmërimit për një kallëzim penal ndaj kreut të qeverisë, eksponentëve të Partisë Socialiste dhe arkitektëve të përfshirë, organizatorët theksuan edhe kërkesat e tyre politike. Kushti thelbësor dhe i panegociueshëm mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit.

Ne kemi në dorë një libër në fakt, që është një libër i përgatitur nga shoqëria qytetare, do ta mbajmë dhe një deklaratë, vetëm po i kthej pak shpinën prokurorisë, për të gjitha projektet të cilat një pjesë janë ndërtuar, një pjesë pritet të ndërtohen në zona të mbrojtura në hapësira publike. Aty gjenden edhe projektet e Zvërnecit që kryeministri Rama tha që nuk ekzistojnë, datojnë që në vitin 2022, edhe më përpara se ligji të ndryshohej. Pra për ne ka të dhëna që ligji është ndryshuar me porosi, sepse projektet kanë ekzistuar përpara se ligji të ndryshohej. Bëhet fjalë për oligarkë shqiptarë të cilët investojnë aty, jemi duke folur për investime në zonat e mbrojtura, në hapësira publike, kështu që për ne, ky libër në fakt është dokumenti ose arma e krimit me të cilin Edi Rama, kryeministri Edi Rama ka shkatërruar Shqipërinë. Ne sot do ta dorëzojmë këtë libër, kemi bashkëngjitur dhe një kallëzim penal në emër dhe në adresë të kryeministrit dhe eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste, por ndoshta edhe arkitektë dhe biznesmenë të cilët janë në atë libër. Ne sot simbolikisht do të dorëzojmë këtë libër si provë në Prokurorinë e Posaçme për t'i kërkuar asaj nisjen e hetimit dhe bashkërisht në ditët në vijim po përgatisim edhe kallëzimin penal që do ta dorëzojmë në Prokurorinë e Posaçme.

Kërkesa jonë e panegociueshme është dorëheqja e Edi Ramës. Ne kemi bërë, si në shesh, përgjatë një muaji janë mbrujtur disa kërkesa, si ndryshimi i ligjeve, krijimi i një qeverie tranzitore që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira, të ndershme, të pakapura nga krimi, nga oligarkia dhe nga media e kapur. Kështu që ka disa kërkesa të cilat ne i kemi artikuluar. Një kontratë e re sociale mes shoqërisë dhe shtetit, ku është interesi publik në qendër dhe jo interesi privat. Gjithashtu ndryshimi i ligjeve, ndryshimi i kodit zgjedhor, anulimi i paketës së maleve, anulimi i ligjit për investitorët strategjikë. Pra këto kërkesa të cilat janë artikuluar prej më shumë se një muaji, ne u qëndrojmë pa diskutim. Si kërkesë thelbësore, fillestare, dorëheqjen e Edi Ramës me çdo kusht.

Ne, qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe protestues prej më shumë se 31 ditësh në shesh, jemi sot këtu përpara institucionit të Prokurorisë së Posaçme për të sjellë provën që sipas nesh dëshmon disa prej shkeljeve më të rënda të bëra nga kryeministri i vendit Edi Rama. Në këtë libër gjenden 523 projekte të ndryshme, disa prej të cilave të ndërtuara tanimë, të tjera në ndërtim e sipër dhe një pjesë e tyre në plan për t'u ndërtuar. Në këtë libër gjenden dhe mund të lexohen disa prej problemeve më të mëdha të këtij vendi dhe të këtij modeli qeverisjeje. Në këtë libër del qartë se kryeministri Rama dhe qeveria e tij e kanë shmangur në çdo moment konsultimin publik, duke iu mbivendosur shoqërisë përmes fuqisë së pushtetit dhe përmes marrëdhënies me arkitektë të huaj, ndërtues, biznesmenë e oligarkë të cilët kishin interes në ndërtim. Në këtë libër del qartë se ligji 21/24 është një ligj që është miratuar për shkak të projekteve të ndryshme, të cilat gjenden në këtë libër vite përpara se të ndryshojë ligji. Në këtë libër del qartë se pavarësisht se në shumë prej vendeve në të cilat këto projekte propozohen për t'u ndërtuar, ka pronarë që nuk janë në dijeni të ekzistencës së këtyre projekteve, si dhe pronarë që vijojnë të jenë ende në gjykata prej më shumë vitesh për të marrë të drejtën e tyre, projektet vijojnë të pa shqetësuar.

Në këtë libër del qartë se ka një konflikt interesi mes kryeministrit të vendit dhe arkitektëve e biznesmenëve të ftuar për të investuar në këtë libër, për shkak se kryeministri Rama është njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe për rrjedhojë, ai vendos për miratimin e të gjithë këtyre projekteve. Si përfundim, ne jemi këtu fillimisht për t'i thënë Prokurorisë së Posaçme se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme, ashtu siç ka edhe pritshmëritë tona për nisjen dhe vendosjen e drejtësisë në vend për secilin projekt. Ne nuk jemi këtu për drejtësi popullore, por për të kërkuar një shtet të së drejtës, në të cilin kryeministri i vendit trajtohet dhe hetohet njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës. Ndaj, përmes këtij akti të sotëm, kërkojmë që të ketë drejtësi deri në fund dhe drejtësi për të gjithë, pavarësisht fuqisë, pozicionit apo pushtetit momental. Në këtë moment, ne do ta dorëzojmë atë që për ne është prova e krimit e qeverisjes së kryeministrit Rama pranë Prokurorisë së Posaçme, për t'i kërkuar, siç i kemi kërkuar muajin e fundit, bërjen e mundur të revolucionit paqësor, duke hetuar atë që për ne është kreu i një shteti kriminal, Edi Ramës.