Tenderi 7.6 mln euro i Thesarit, mes KPP-së dhe Gjykatës, 'tërheqja' e ankimit nuk ndryshon fituesin

Tenderi i AKSHI-t për përmirësimin e Sistemit të Thesarit ka kaluar edhe një herë në filtrin e Komisionit të Prokurimit Publik, por pa ndryshuar fituesin.

KPP ka pranuar pjesërisht ankesën e bashkimit Advanced Business Solutions – Data Log, ndërsa nuk ka pranuar kërkesën për pavlefshmërinë e kontratës së lidhur me Communication Progress – Horizon.

Procedura ka fond limit 750.3 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 7.6 milionë euro, dhe lidhet me një nga sistemet kryesore financiare të administratës publike. Në garë, ABS – Data Log kishte paraqitur ofertë 511.7 milionë lekë dhe u skualifikua, ndërsa Communication Progress – Horizon u kualifikua me ofertë 680 milionë lekë.

“Tërheqja” e kontestuar

Çështja mori një kthesë të pazakontë kur në sistem u depozitua një njoftim për tërheqje nga ankimi. ABS deklaroi më pas se nuk ishte tërhequr, por se persona të paautorizuar kishin hyrë në llogarinë e saj në e-Albania dhe kishin ngarkuar dokumentin e tërheqjes. Pra, në një tender miliona euro, një nga episodet kyçe u bë një “tërheqje” që pala thotë se nuk e kishte bërë.

KPP fillimisht e mbylli procedimin, por Gjykata Administrative e Apelit e shfuqizoi vendimin dhe e detyroi Komisionin të shqyrtonte ankimin në themel.

Në arsyetimin e vendimit të fundit, KPP citon se gjykata kishte konstatuar se nuk kishte pasur tërheqje të vlefshme nga ankimi dhe se mbyllja e çështjes kishte sjellë “privim total” të BOE ankimues nga e drejta e ankimit administrativ.

Pas rikthimit të çështjes, KPP arriti në përfundimin se oferta e ABS – Data Log mbetet e skualifikuar për mospërmbushje të kërkesave teknike dhe profesionale.

Komisioni vlerësoi se cenimi procedural i konstatuar nga gjykata ishte korrigjuar përmes shqyrtimit të ri administrativ dhe se operatori i skualifikuar nuk do të ishte fitues i kontratës.

KPP nuk e pezulloi zbatimin e kontratës, duke argumentuar se Sistemi i Thesarit lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e financave publike, pagesat e buxhetit të shtetit dhe institucionet shtetërore. Në vendim thuhet se pezullimi do të krijonte rrezik për interesin publik, i cili në këtë rast prevalon ndaj interesit individual.

Tenderi ishte rikthyer në KPP pas një ankese të re në 11 qershor, teksa projekti parashikon modernizimin e Sistemit Informatik Financiar , përfshirë infrastrukturën hardware dhe software, sigurinë dhe performancën e sistemit.

Kontrata përfshin gjithashtu përditësimin e Oracle E-Business Suite, migrimin e të dhënave historike, testime, trajnime dhe mirëmbajtje pas implementimit.

Në fund, KPP vendosi që AKSHI mund të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit./ Monitor/