Protestat/ Tepelena: Shqiptarët kanë marrë force, shoqëria është zgjuar dhe frika tashmë është thyer plotësisht
Protestat e fundit qytetare kanë nxjerrë në pah një anë të errët të forcave të rendit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi ndikimin politik në radhët e Policisë së Shtetit. Ndërhyrja agresive dhe e paprecedentë e policisë ndaj një proteste masive dhe paqësore është denoncuar nga aktivisti Andi Tepelena gjatë një interviste ne “Kafe Shqeto” në Syri tv, si një provokim i pastër dhe plotësisht i pajustifikuar. Sjellja brutale e efektivëve, të cilët sipas raportimeve vepruan më shumë bazuar në urdhra të eprorëve politikë sesa në profesionalizmin e tyre, ka treguar një mungesë të theksuar trajnimi për menaxhimin e tubimeve civile.
Kjo qasje e ashpër dhe e pakuptimtë, madje edhe ndaj akteve thjesht simbolike të protestuesve, sipas Tepelenës tregon ekzistencën e një qeverie që ndodhet në panik dhe e trembur nga reagimi qytetar. Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri ai tha se përpjekja për të shtypur revoltën përmes arrestimeve selektive dhe dhunës, siç u vu re me rastin e shënuar në Zvërnec, nuk ka dhënë rezultatin e pritur për pushtetin. Përkundrazi, kjo taktikë është kthyer në një bumerang të vërtetë, duke shërbyer si një katalizator që ka forcuar vendosmërinë e njerëzve për të protestuar më fuqishëm. Shoqëria shqiptare duket se është zgjuar dhe frika, e cila më parë mund të mbante peng reagimin, tashmë është thyer plotësisht.
Andi Tepelena: Që në ditën e parë që ka qenë protestë qytetare, super qytetare, paqësore, edhe kemi pasur një provokim të pashpjegueshëm, komplet nga policia, domethënë një sjellje brutale, komplet e pavend.
Nuk e kuptuam nga buroi gjithë ai agresivitet. Duke u treguar e dhunshme ndaj protestuesve të ndryshëm, ishte situatë që më shumë spikaste te Policia e Shtetit, që duket se vepronte më shumë me urdhra nga eprorët politikë sesa nga ata që duhet të burojnë nga profesionalizmi i tyre. Dhe tregojnë veten që janë edhe të patrajnuar në raste të protestave civile. Sjellja e tyre tregon që jo vetëm që nuk kanë asnjë lloj limiti, por nuk dinë se si të sillen në raste të caktuara.
Tregojnë një agresivitet të pavend edhe kur janë akte simbolike të protestuesve. Kjo tregon që kemi përpara një regjim i cili edhe përpara akteve simbolike është i trembur. Pra është i trembur. Tregon që kanë hyrë në një fazë shumë të vështirë, pra ndihen të vështirë kur ka një grumbullim njerëzish të cilët janë aty për të shprehur revoltën e tyre. Dhe dita-ditës kjo forcon dhe besimin tek qytetarët, tek protestuesit.
Gjëja më fantastike e kësaj që kur ka filluar kjo protestë është thyer frika tashmë. Pra njerëzit nuk kanë më frikë të protestojnë, shoqëria shqiptare është zgjuar, është në këmbë. Dhe kjo tregon që regjimi është i papërgatitur. E kapi të papërgatitur se mendoi se duke arrestuar 2-3 aktivistë apo qytetarë aty, do t'i thyejë të gjithë. Por kjo ka bërë efektin e kundërt, pra në bumerang për qeverinë domethënë, për regjimin po kthehet në bumerang. Domethënë, sa më shumë fillojnë të ushtrojnë dhunën, siç ishte rasti i Zvërnecit, aq më shumë shërben si katalizator që njerëzit të revoltohen, të protestojnë më fuqishëm. Pra, ka filluar një fazë të cilën unë do ta quaja një fazë kritike shumë për regjimin, por është fazë shumë pozitive për shoqërinë. Pra shqiptarët kanë marrë forcë, kanë marrë kurajo që nuk tremben para asnjë shantazhi apo para asnjë kërcënimi.