SYRI TV/ 'Bomba' e Reuters për samitin e Tiranës, Samiti i NATO-S në Tiranë në pikëpyetje
Agjencia e lajmeve Reuters ka bërë të ditur se ka hedhur dyshime të forta se planet për një samit të Aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimit nga administrata Trump dhe disa vende anëtare. Shkak për këtë është bërë niveli i ulët i shpenzimeve për mbrojtjen nga ana e Shqipërisë. Sipas burimeve të Reuters, draft-deklarata për samitin e javës së ardhshme në Ankara aktualisht nuk përmend mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri.
Samiti i ardhshëm i NATO-s, i planifikuar për t'u zhvilluar në Tiranë, është vënë në dyshime serioze. Agjencia e madhe e lajmeve Reuters shkruan se, ndërsa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, planet për një samit të Aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimit nga administrata Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare të NATO-s me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen. Këtë e thanë për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me diskutimet.
Sipas tyre, draft-deklarata për samitin e javës së ardhshme në Ankara aktualisht nuk përmend mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht se një deklaratë e mëparshme parashikonte që ai të zhvillohej atje.
Pasiguria për fatin e samitit të NATO-s në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së viteve të fundit për të mbajtur samite çdo vit, një hap që mund të shmangte një përballje potencialisht të tensionuar me Trump më vonë gjatë mandatit të tij.
Njëri prej personave të njohur me diskutimet tha se niveli i shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen është i tillë, saqë, nëse NATO do të mbante një samit në vend në vitin 2027, Trump mund të zemërohej, duke shkaktuar tituj negativë në media.
Një diplomat evropian tha se versioni më i fundit i tekstit vetëm thekson se udhëheqësit presin me padurim takimin e tyre të ardhshëm, pa specifikuar kohën apo vendin.
"Draftet janë drafte, jo vendime", deklaroi për Reuters një zëdhënës i qeverisë shqiptare, kur u pyet për mungesën e Shqipërisë në draft-deklaratë, e cila është ende në negociim dhe mund të ndryshojë.
Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë, ndërsa një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm.
Vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s zakonisht kanë përmendur në mënyrë të qartë vendin ku do të mbahej samiti pasues.