Kokaj: Qeveria do përshkallëzimin e dhunshëm për të shuar protestën! Thyem algoritmin e Ramës
Në një intervistë për ‘A Show’ nga sheshi para kryeministrisë ku për të 31-n ditë vijojnë protest kundër qeverisë Rama, Luçiana Kokaj tha se protesta është e qytetarëve ndërsa qeverisë u interson përshkallëzimi i dhunshëm për ta shuar atë.
Për Adi Krastën banorja e Rrjollit tha se tashmë rinia me protestën dhe zërin e saj arriti të thyejë algoritmin e propagandës së saj.
Ne kemi thënë që ditën e parë kjo protestë është drejtuar nga sheshi. Është drejtuar nga qytetarët. Kanë qenë thirrjet e qytetarëve, kanë qenë ata që kanë kërkuar çdo ditë 'nesër më shumë, nesër më shumë'. Është një protestë komplet qytetare, e decentralizuar. Nuk ka një kokë. Në qoftë se ne jemi fytyrat e protestës, unë besoj që ne jemi vetëm ata që kujdesemi për atë foninë, kujdesemi që të kemi, të marrim ca shishe ujë, që t'ua shpërndajmë disa njerëzve, kujdesemi për atë lejen e policisë. Këto janë detyrat tona. Pastaj gjithë gjëja tjetër është komplet e qytetarëve, e njerëzve që janë këtu në shesh. Dhe jam shumë e lumtur që mbas kaq shumë vitesh në Shqipëri, qytetarët u ngritën pa thirrje partish, u ngritën për jetën e tyre dhe për cilësinë e jetës së tyre.
Përshkallëzimi... ka shumë njerëz që e duan. Ka shumë qytetarë që janë në shesh me ne që e duan. Por kam frikë që përshkallëzim të dhunshëm do qeveria në mënyrë që ta shuajë dhe të prishi imazhin fantastik që kjo protestë i ka dhënë Shqipërisë në mbarë botën.
Ne e pamë atë dhe me eurodeputetët që kishim dje këtu. Që ishte një prezencë fantastike dhe një mesazh shumë i bukur i të gjithë atyre, dhe një mbështetje shumë e madhe që na dhanë. Dhe na thanë që ne jemi me ju, ne do vazhdojmë të ngremë zërin për ju dhe urojmë shumë që ju të jetoni në një Shqipëri pa korrupsion, me drejtësi, me zona të mbrojtura, me respektim të natyrës dhe me respektim të të drejtave. Jemi quajtur njerëz që nuk duam investimet. Nuk është e vërtetë që ne nuk duam investimet. Ne duam që investimet të bëhen me transparencë.
Unë vij nga Rrjolli. Kështu që kam pesë muaj që përballem me të gjitha këto gjëra për të mbrojtur tokën time dhe të drejtën që i takon tokës time. Kështu që e kisha disi të ezauruar, që katër muaj para se të fillonte në Tiranë, edhe të gjithë makinerinë e shtetit për ta shuar protestën, edhe gjithë propagandën e tyre, edhe bojkotimin nga shumë media. Gjë që, këtë herë fatmirësisht, ne arritëm ta thyenim. Rinia theu dhe algoritmin e kryeministrit' tha Luçiana Kokaj.