VIDEO/ Tepelena: Kur u godit me vezë makina e Erion Braçes, policia u egërsua dhe nisi dhunën
Aktivisti Andi Tepelena, i ftuar në emisionin “A Show” me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur për protestën qytetare para Kuvendit dhe përplasjet me policinë, duke akuzuar uniformat blu për përdorim force ndaj protestuesve.
Sipas Tepelenës, tubimi ishte konceptuar si një protestë paqësore dhe qytetare, me qëllim shprehjen e revoltës kundër parlamentit dhe ligjeve që, sipas tij, janë miratuar në dëm të interesit publik.
Aktivisti tha se qëndrimi para Kuvendit ishte një formë rezistence qytetare ndaj një institucioni që, sipas tij, nuk po përfaqëson më interesat e qytetarëve.
Duke komentuar dhunën e policisë, Tepelena tha se, situata u përshkallëzua pasi disa vezë u hodhën në drejtim të automjetit të deputetit socialist Erion Braçe.
Sipas tij, protestuesit kanë bërë thirrje që të mos ketë përplasje me efektivët e policisë, por ai pretendon se urdhrat për ndërhyrjen e ashpër kanë ardhur nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
‘U provokuam nga policia. Pra protesta ka qenë, në filozofinë tonë ka qenë paqësore, qytetare edhe jo e dhunshme.
Ishte thjesht një qëndrim për të shprehur revoltën ndaj këtij parlamenti, i cili ka aprovuar, deputetët kryesisht që kanë aprovuar ato ligje që janë ligje që duhen shfuqizuar, duhen anuluar si ligji për zonat e mbrojtura, për investimet strategjike, paketa e maleve e të tjerë e të tjerë.
Pra ishte një farë mënyre kjo revoltë popullore e akumuluar ndaj një parlamenti i cili nuk po i përgjigjet më interesave të qytetarëve. Edhe qëndrimi aty para parlamentit ishte një formë rezistence.
Domethënë parlamenti i cili një farë mënyre gjithmonë ka treguar që mbron interesat partiake të një partie, të liderit suprem dhe jo interesat e qytetarëve.
Kështu që ishte e pritshme të kishte një zemërim popullor, po thashë brenda normave, brenda një etike qytetare e gjitha kjo.
Në një moment të caktuar policia u agresua shumë. Si duket ca kokrra vezë u hodhën ndaj makinës së një deputeti, Erion Braçes më saktë, dhe aty pati një lloj agresiviteti nga ana e policisë, filloi duke tërhequr zvarrë protestuesit.
Edhe pse i thonim, bënim thirrje që s'kemi asgjë me policinë, me policët, por patën urdhra nga shefat e lartë që të veprojnë në mënyrë shumë të ashpër’, theksoi Andi Tepelena gjatë bisedës në SYRI TV.