Skandali i plazheve në Pogradec, Hoxha: Denoncova abuzimet, tani po më godasin
I ftuar në studion e emisionit "A Show", nëpërmjet një lidhjeje në Skype, ishte oficeri i Policisë së Shtetit, Dritan Hoxha, hodhi akuza të forta ndaj Bashkisë së Pogradecit për mënyrën e administrimit të vijës liqenore.
Sipas tij, hapësirat publike po ngushtohen në favor të subjekteve private, ndërsa qytetarët dhe bizneset që denoncojnë këto praktika përballen me presione dhe masa administrative që ai i konsideron hakmarrëse.
Hoxha deklaroi se, pas denoncimit publik të një skeme të padrejtë të shpërndarjes së plazheve, biznesi i tij është vendosur nën trysni nga pushteti vendor. Ai pretendon se, në vend që institucionet të hetojnë denoncimet për tjetërsimin e hapësirave publike, po ushtrohet presion për të penguar aktivitetin e biznesit të tij, duke përdorur kontrolle dhe kufizime administrative.
Sipas tij, brenda vetëm një viti numri i subjekteve private në një segment prej 200 metrash plazh është rritur ndjeshëm, ndërsa sipërfaqja e plazhit publik është tkurrur. Hoxha tha se një pjesë e përfituesve kanë lidhje me Bashkinë e Pogradecit, ndërsa të gjitha pretendimet e tij, të shoqëruara me materiale filmike dhe dokumentacion, janë depozituar pranë institucioneve përgjegjëse.
Deklaratat e tij ngrenë pikëpyetje serioze mbi transparencën e administrimit të hapësirave publike në Pogradec dhe mbi mënyrën se si trajtohen qytetarët që zgjedhin të denoncojnë abuzimet.
Pjesë nga deklarata:
Shiko, unë bëra një denoncim publik. Dola në një emision, por, si një ish-oficer policie që jam në detyrë, unë u besoj institucioneve të mia. Dhe u besoj fort. Është përgjigjur prefektja, të cilën gjej rastin ta falënderoj publikisht, Florinda Zegullaj, e cila ka mbështetur çështjen dhe kërkon nga Bashkia Pogradec rregullimin dhe sqarimin, ngritjen e një grupi pune dhe verifikimin e të gjitha pikave që ajo ka ngritur. Diçka shpresoj të rregullohet.
Aty ka një problem të vogël. Në plazhin që ne kishim përpara kemi vendosur një rrjetë volejbolli, të cilën e kemi vendosur që kur krijuam lokalin, me idenë që aty të rinjtë të mos bënin vetëm plazh. Pra, të mos rrinin vetëm në ato shezllonet e rëndomta, por të kishin edhe aktivitete rekreative, të luanin, të krijonin aktivitete mes njëri-tjetrit, të kishin lojëra në plazh. Kemi pasur edhe rrjetë në plazh. Vjet e kishim shumë mirë, parvjet e kishim shumë mirë, ishte plazhi në rregull.
Sivjet na është ngushtuar plazhi, pavarësisht se nga bashkia thuhet që... dhe këtë e them edhe burrërisht, le ta verifikojnë kur të duan. Në 200 metra plazh, janë të vetmit njerëz që vjet kishin 3 subjekte private, ndërsa sivjet kemi 5 subjekte private. Mund të bëhen edhe 6, por aktualisht janë 5. Dhe ne kemi zgjerim të plazhit publik. Pra, nuk e kuptoj si mund të shtojmë subjekte private dhe të kemi zgjerim të plazhit publik. Ose e kemi shtyrë plazhin, pastaj e kemi zgjeruar.
Disponojmë të gjitha, edhe pamje filmike. Disponojmë edhe pamje të viteve të kaluara, por kjo nuk ndodh. Aty çfarë ka ndodhur? Kanë ardhur subjekte nga vende të ndryshme të Pogradecit dhe kanë zënë plazhin me idenë që kanë hotele, me idenë që kanë bujtina, me idenë që s'kanë asgjë, por janë punonjës të Bashkisë Pogradec dhe mund të zaptojnë një zonë plazhi.
Dhe këtë s'e them vetëm unë. Janë drejtuar Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, nuk kam marrë përgjigje akoma. Janë drejtuar Agjencisë Antikorrupsion, po presim përgjigje. Jam në pritje të këtyre institucioneve.
Në përfundim, nuk e di se çfarë mund të themi në lidhje me këtë. Aktualisht plazhet janë aty, edhe fushën ne e kemi mbajtur, si të themi, shumë të ngushtuar dhe me aq sa është aty përpara. Nga 11 metra na u zgjerua faktikisht, na vajti 18 metra fusha. Kaq është. Aq është plazhi publik përpara Sherlock-ut: 18 metra.
I dashur Adi, patjetër. Faleminderit për mbështetjen. Atëherë, siç jua thashë edhe më sipër, jam një njeri që u besoj ligjeve. U besoj procedurave, u besoj institucioneve. Kanë apo jo fuqi, kanë apo jo dëshirë, është tjetër punë. Por nuk mund ta duroj pjesën tjetër të padrejtësisë, në kuptimin që, kur bëhet një padrejtësi, unë reagoj. Si reagoj? Duke shprehur pakënaqësinë time edhe në anën shkresore, edhe në anën vizuale.
Tani, përderisa një foto vlen sa një mijë fjalë, imagjino çfarë mund të bëjnë videot. Videon e pamë; videoja ishte totalisht e mjaftueshme. Por kemi të bëjmë me njerëz që, në këtë vend, nuk mund t'u flasësh në një mënyrë aristokratike, sepse nuk e kuptojnë këtë gjuhë. Duhet t'i gozhdosh me fuqinë e madhe të faktit dhe, atëherë, ata përdorin narrativa hileqare, edhe ti e di çfarë ndodh.