Pas tërmetit, një stuhi tropikale po vjen në Venezuelë, çfarë paralajmërohet?

Gjashtë ditë pas tërmetit në Venezuelë, më shumë se 43,000 njerëz janë ende të zhdukur. Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, por numri i njerëzve që po nxirren gjallë nga rrënojat po zvogëlohet.

Të hënën, një djalë 12-vjeçar u shpëtua nga lagjja më e goditur La Guaira . Ekipet gjithashtu nxorën nga rrënojat 21-vjeçarin Aaron Cantillo.

Megjithatë, koha po kalon dhe shanset që ekipet të gjejnë ndonjë të gjallë nën rrënoja po pakësohen.

"Një stuhi tropikale po vjen, mund ta imagjinoni se çfarë do të bëjë shiu. Të paktën 2,500 ndërtesa janë prekur dhe shumica e tyre janë shembur plotësisht. Prandaj, është mjaft e sigurt se numri përfundimtar i të vdekurve do të jetë më i lartë se ai që është raportuar deri më tani.

Mund t'ju jap një tregues të përafërt të shkallës së situatës. Ne po blejmë, dhe kjo është diçka që është rënë dakord me autoritetet lokale, 10,000 çanta për mbetjet njerëzore", paralajmëron OKB-ja.

Qytetarët të pakënaqur me reagimin e autoriteteve

Qytetarët janë të tërbuar me qeverinë, duke pretenduar se reagimi nuk ishte i mirë.

"Ata vijnë vetëm për të bërë fotografi. Nuk na ndihmojnë dhe as nuk na lejojnë të hyjmë në zonën e fatkeqësisë. Nuk na japin asnjë pajisje dhe familjet tona janë atje", tha një qytetar i zemëruar që po kërkonte vajzën e tij.

"Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të shpëtuar të mbijetuarit, gjë që u sjell shpresë dhe emocion familjeve të tyre, si dhe popullit tonë, i cili po dëshmon punën e palodhur të ekipeve të shpëtimit venezueliane dhe ndërkombëtare", tha Presidentja në detyrë Delcy Rodriguez . 

Ndërsa qeveria nuk po u përgjigjet akuzave të qytetarëve, udhëheqësja e opozitës në mërgim, Maria Machado, po njofton kthimin e saj në vend.

"Regjimi dëshiron të parandalojë kthimin tim në Venezuelë, si dhe kthimin e shumë bashkatdhetarëve që duan të vijnë dhe të ndihmojnë. Ata po pengojnë punën e gazetarëve që kërkojnë të vërtetën. Bllokimi dhe manipulimi i informacionit në situata të tilla krijon edhe më shumë viktima", tha Macado.

Raportet e mediave të huaja tregojnë se 59,000 ndërtesa u dëmtuan, ndërsa autoritetet thonë se rreth 190 ndërtesa janë shembur plotësisht.

Tërmeti nxori në pah tragjikisht dekada të tëra ndërtimesh të dobëta, me projekte të nxituara, mungesë të kodeve të ndërtimit dhe korrupsion që kontribuan në shembjen e mijëra shtëpive.