Turistja amerikane rrëfen momentet e tmerrit: Autobusi u përmbys brenda pak sekondash, me fat që shpëtova
Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në autostradën Tiranë – Durrës pranë QTU-së, teksa mikrobuzi që transportonte pasagjerë ndërqytetas ka thyer barrierat trafikndarëse dhe ka përfunduar në kanal.
Një turiste amerikane ka rrëfyer për mediat momentet e frikshme pas aksidentit me autobus, duke treguar se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se për pak sekonda mjeti humbi kontrollin dhe u përmbys.
Ajo tha se në momentin e aksidentit po shikonte poshtë dhe kur ngriti kokën pa autobusin që po dilte nga rruga.
“Po shikoja poshtë dhe më pas ngrita kokën. Ndjeva autobusin që po dilte nga rruga. Kur ngrita sytë, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Papritur autobusi u përmbys në krah dhe njerëzit nisën të bërtisnin”, u shpreh turistja.
Ajo tregoi se pas përmbysjes kishte persona të lënduar dhe të gjakosur brenda autobusit. “Gjaku po më pikonte, sepse unë isha në anën e poshtme”, tha ajo, duke shtuar se fillimisht kontrolloi nëse ishte mirë dhe më pas arriti të dilte jashtë.
Sipas saj, ajo dhe një person tjetër dolën nga pjesa e pasme e autobusit, ndërsa jashtë situata ishte kaotike me njerëz që kërkonin ndihmë.
“Pas meje po dilte edhe një person tjetër dhe ne dolëm nga pjesa e pasme e autobusit. Njerëzit ishin të gjakosur, bërtisnin. Menjëherë erdhën për të ndihmuar njerëzit nga ndërtesat aty pranë. Ndaluan edhe makinat”, rrëfeu ajo.
Turistja amerikane falënderoi banorët shqiptarë për ndihmën e dhënë pas aksidentit. “Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm, më sollën ujë. Unë pata shumë, shumë fat. Falë Zotit”, përfundoi ajo.