Qytetari: Shqiptarët prej 31 ditësh në protestë kundër qeverisë, presidenti vendit luan guralec në Kirgistan

Qytetari ka ironizuar gjatë fjalës së mbajtur në protestën që ka hyrë në ditën e saj të 31-të, duke vënë përballë varfërinë e qytetarëve dhe luksin e klasës politike, të cilën e lidhi me emra konkretë si Zegjine Çaushi, Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.

Ai u ndal te pensioni mesatar prej rreth 120 mijë lekësh, duke theksuar se kjo shumë nuk mjafton për jetesë, ndërsa e krahasoi me 800 euro, të cilat sipas tij për pushtetarët përbëjnë një shpenzim të papërfillshëm.

Në deklaratën e tij, qytetari përmendi pretendimin për 300 apartamente të lidhura me Belinda Ballukun, si dhe një shishe vere me vlerë 32 mijë euro të lidhur me Edi Ramën, duke e krahasuar këtë me pagën disa vjeçare të një mësuesi.

'Presidentin e Republikës, i cili paguhet 4.3 milionë lekë në muaj, për çfarë thoni ju? Me luajtur guralecash në Kirgistan! Turp t’ju vijë! Populli ka 31 ditë në shesh këtu për hallet e tij, ti shtrihesh si kali në lëmë duke luajtur guraleca në Kirgistan.'-u shpreh ai

Pjesë nga deklarata:

Po tallen! Për fatin tonë të zi, këto vitet e fundit kemi pasur në parlament dy gjeni të matematikës: Lulzimin me 7 x 7 edhe veshgjatën që na infektoi pak andej nga numrat. Shpejt e shpejt, mos t’ju marr kohë edhe të tjerëve. Një pension mesatar sot është diku te 120 mijë lekë për pjesën më të madhe të pensionistëve. Shtatë pensione bëjnë 800 euro. Sa janë 800 euro për pushtetin? Një palë brekë grash të Rilindjes.

Kalojmë pak te tezja Belinda, e cila sipas SPAK-ut, s’po e them unë, ka 300 apartamente. Znj. Belinda i duhet një javë me i gjet çelësat e një shtëpie. Pse, o i madhi Zot, mua një javë s’më ka zënë gjumi kur më ka rritur qiraja 10 mijë lekë të vjetra!

Flasim pak për këtë “qelbësirën” e Kristaqit, i cili vetëm burrë nuk është. Luftat e tij më të mëdha i ka pasur veç me ish-gratë e tij. Prandaj, nëse ka burra Shqipëria, mos të tuten prej kësaj qelbësire. Kjo qelbësirë pi një shishe verë 32 mijë euro. 32 mijë euro asgjë nuk janë, rroga e një arsimtari për tre vjet e gjysmë. A mbahet për tre vjet e gjysmë ai, as pa futur me ngrënë, as me pirë, as qira, as shtëpi?

E për ta mbyllur, si qershia mbi tortë, kemi këtë bufin, Presidentin e Republikës, i cili paguhet 4.3 milionë lekë në muaj, për çfarë thoni ju? Me luajtur gurka-lëca në Kirgistan! Turp t’ju vijë! Populli ka 31 ditë në shesh këtu për hallet e tij, ti shtrihesh si kali në lëmë duke luajtur gurka-lëca në Kirgistan.

Edhe e fundit për ta mbyllur, për këto partitë e vogla: në mënyrën më të sinqertë dhe më vëllazërore, se vëllezër jemi të gjithë ne, mos u mundoni t’i merrni meritat e protestës! Luftën me Edi Ramën bëjeni në parlament! Këtu e bën populli! Mos i postoni sikur jeni ju udhëheqësit e protestës. Nëse doni, krah për krah me ne; përndryshe, pa ju do t’ia dalim.

Rroftë Shqipëria! Rroftë populli!