Protesta e 31-të/ Sheshi para Kryeministrisë plot me protestues, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës
Është duke u zhvilluar protesta e 31-të kombëtare kundër qeverisë, ndërsa një numër i madh qytetarësh janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Sheshi është mbushur me protestues, të cilët mbajnë pankarta dhe hedhin vazhdimisht thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, duke përsëritur kërkesën e tyre kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra. Pjesëmarrja e lartë ka krijuar një kolonë të gjatë marshimi drejt bulevardit, ndërsa qytetarët shprehen të vendosur për të vijuar protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Përpara Kryeministrisë po mbahen fjalime nga protestuesit dhe aktivistët, të cilët kanë deklaruar se protestat nuk do të ndalen, por do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Pas tubimit, protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit për të përcjellë mesazhet e tyre kundër qeverisë dhe për t’u bërë thirrje qytetarëve të tjerë t’i bashkohen lëvizjes protestuese.
Në protestën para Parlamentit ndodhi…
Më herët gjatë ditës, protesta e zhvilluar para Parlamentit u shoqërua me tensione të forta mes protestuesve dhe Policisë.
Situata u përshkallëzua pasi protestuesit hodhën vezë në drejtim të ministrave dhe makinës së deputetit Erion Braçe, ndërsa policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës. Gjatë ndërhyrjes u shoqëruan disa protestues, mes tyre Dritan Goxhaj dhe aktori Shkëlzen Bushi, ndërsa në pamjet e publikuara shihen përplasje fizike dhe protestues të tërhequr zvarrë nga efektivët.
Pas shoqërimeve, dhjetëra qytetarë u mblodhën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve me thirrje si “Lironi protestuesit”, “Lironi djemtë tanë” dhe “Arrestoni Ballukun, lironi protestuesit”. Protestuesit u liruan pas disa orësh në komisariat.