'SHISH nuk gjen të shumëkërkuarit, por ndjek protestuesit'/ Bushkolaj: Protestat, pasojë edhe e dështimit të SPAK-ut
Gazetari dhe redaktori i Syri TV, Elkier Bushkolaj, deklaroi në emisionin “Task Force” se emri i Taulant Ballës përmendet në një numër të madh dosjesh, ndërsa akuzoi SPAK-un për mosveprim ndaj zyrtarëve të lartë dhe për dështim në hetimin e çështjeve që lidhen me krimin zgjedhor, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Bushkolaj tha se emri i Ballës shfaqet në dosjen e grupeve të Shkodrës, në atë të grupeve të Elbasanit, si edhe në dosjen “Toyota Yaris”, duke shtuar se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj tij.
Sipas tij, pretendimet për përfshirjen e iranianëve në protestë nuk qëndrojnë, duke argumentuar se në protestë kanë qenë të pranishëm edhe qytetarë amerikanë dhe se, ndryshe nga raste të tjera, Ambasada e SHBA nuk ka lëshuar paralajmërime për qytetarët e saj.
Bushkolaj ngriti akuza edhe ndaj SHISH-it, duke thënë se shërbimi inteligjent nuk ka treguar rezultate në luftën kundër grupeve kriminale, pastrimit të parave dhe korrupsionit, ndërsa pretendoi se punonjës të tij kanë qenë të pranishëm në protestë për të mbledhur informacione mbi qytetarët.
Ai e lidhi pjesëmarrjen masive në protestë me atë që e cilësoi si punë skandaloze të SPAK-ut ndaj dosjeve kryesore, duke përmendur dosjet 184, 339, çështjet e korrupsionit, fondet IPARD dhe lejet e ndërtimit. Sipas Bushkolajt, personazhet që, sipas tij, sulmojnë protestën janë të njëjtët që përmenden në dosje të SPAK-ut.
Gazetari deklaroi se, nëse SPAK do të kishte vepruar me vendosmëri ndaj krimit zgjedhor dhe korrupsionit në vitet e fundit, nuk do të kishte një mobilizim kaq të madh qytetar. Ai shtoi se dosjet kryesore që po hetohen kanë ardhur nga partnerët ndërkombëtarë dhe jo si rezultat i hetimeve të vetë SPAK-ut.
Bushkolaj u ndal te përmendja e një arkitekti me emrin Emre, për të cilin tha se del në përgjime si ndërmjetës për një leje ndërtimi pranë kryeministrit Edi Rama dhe se emri i tij shfaqet edhe në dosjen e Zvërnecit. Sipas Bushkolajt, është detyrë e SPAK-ut të sqarojë rolin e këtij personi dhe at për lejet e ndërtimit.
Bushkolaj:
Vetëm për të kuptuar se në cilën anë duhet të jesh, mjafton të shohësh kush është në anën tjetër. Edhe aty nuk besoj se secili shqiptar ka më dyshime. Tani le të ndalemi pak tek faktet me radhë. Këto flasin për iranianët.
E para nxjerrin lakuriq shërbimin sekret shqiptar, SHISH-in. Ne ka kohë që nuk shohim një punë të SHISH-it në raport me grupet kriminale, në raport me pastrimin e parave, në raport me korrupsionin, por unë vetë në protestë kam parë punonjës të SHISH-it të cilët i njoh, të cilët ishin aty për fat të keq për të spiunuar bashkëqytetarët e tyre dhe të detyruar nga eprorët e tyre. Pra, SHISH-i nuk paska informacion se ku është Ergys Agasi, një i shumëkërkuar, por ama është aty për të bërë rezumenë e qytetarëve.
Tani kur flasim për iranianët, unë nuk e kam parë këtë ambasadën amerikane, se ne po bëjmë gati 13 vite që monitorojmë protesta, ndjekim protesta nga afër, nga larg në të gjitha format dhe në të gjitha drejtimet, dhe kur ambasada amerikane në shumë raste thotë që ditën që ka protestë ftojmë qytetarët tanë që të jenë larg.
Si ka mundësi pra, SHBA-ja nuk po shqetësohet fare për këto iranianët? Përkundrazi ne kemi parë qytetarë amerikanë që janë aty në protestë. Normalisht do duhej të alarmonte dhe SHBA-në kjo puna e iranianëve që po trumbetohet. Pra normalisht kjo teza e iranianëve bie totalisht. Është edhe një element tjetër Sonila që ne duhet ta përmendim. Kjo protestë ka këtë lloj masiviteti edhe për shkak të punës skandaloze të SPAK-ut në raport me dosjet kryesore. Pse e them këtë? Mjafton të shikoni profilet e linçuesve kryesorë të protestës që janë në mazhorancë. Kemi duke nisur nga personazhet e dosjes 184, 339, për të ardhur tek Taulant Balla dhe tek Edi Rama.
Çfarë kanë të përbashkët këta?
Të gjithë pa përjashtim janë në dosjet e SPAK. Diku për krim zgjedhor, diku si deputetë të diktuar nga krimi i organizuar, diku për mega-afera korruptive duke nisur nga kullat e Tiranës, tek fondet e IPARD-it, e një seri aferash. Dhe të gjithë këta, në vend që të bëjnë atë që thotë avinieri pra që të merren me avokatin dhe të merren me SPAK-un, merren nga mëngjesi deri në darkë duke linçuar protestën.
Dhe një pyetje është për këta që thonë heronjtë e SPAK-ut: Ore, po të ishin heronj këto të SPAK-ut, nuk do ishin 100 mijë njerëz në shesh. Heronj janë ata që po dalin në shesh, që po bëjnë punën edhe për SPAK-un. Pra, çfarë ndodh?
Nëse SPAK-u përgjatë këtyre viteve do kishte luftuar atë që është krimi në flagrancë... Kush është krimi në flagrancë? Krim në flagrancë ishte krimi zgjedhor, edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin dhe në 2025-ën. E pat mundësinë tre herë, asgjë nuk bëri. Kush ishte krim tjetër në flagrancë? Krim tjetër në flagrancë ishin ato dosjet me peshë korruptive që nga rrugët, se të gjithë kur pamë ato shifrat e rrugëve miliona euro për kilometër katror, asgjë nuk bëri dhe të gjithë e pamë se si u katandisën rrugët dhe se si u shembën rrugët dhe se si i kemi shpëtuar tragjedive.
Dhe krimi më i madh zgjedhor që lidhet direkt me kryeministrin Edi Rama, patjetër që është çështja e pastrimit të parave.
Se ambasada e SHBA-ve nuk flet për iranianët, por për pastrimin e parave të karteleve të drogës në ekonomi, ka të paktën nja 30 deklarata që i thotë ambasada amerikane. Po çfarë bëri SPAK-u për këtë? SPAK për këtë nuk bëri asgjë Sonila, dhe kjo lëvizje ka ardhur pas pesë gjashtë vitesh për shkak të mbylljes së afateve, se janë dosje të ardhura nga partnerët, edhe dosja e Rrumit që ne po flasim, dhe dosja e grupeve të tjera po dhe dosja e Rrumit apo dosja e grupeve të tjera, janë materiale të ardhura të gjitha nga partnerët Sonila, nuk janë materiale apo hetime të SPAK-ut, përkundrazi SPAK-u ne nuk na tregon si në rastin e dosjes Xibraka.
Ore kush është ky personi i paidentifikuar që ka qenë në këto makina të Rrumit? Dhe këto janë ato dyshime që ne i kemi ngritur që para pesë vitesh Sonila dhe në këtë emision, që fijet që lidhen me krimin zgjedhor dhe me krimin intelektual, kam përshtypjen që priten në SPAK.
Dhe ne na vjen ajo çfarë përpunohet në SPAK, pra nuk na vjen materiali i plotë.Ajo se çfarë bën qeveria dhe institucionet është që kujtojnë se ne jemi njerëz pa memorie dhe kuptohet se me njerëzit pa memorie mund të bësh çfarë të duash. Por nëse ne i rikthehemi vetëm fakteve që dalin te dosja. Në këtë dosje, për të cilën SPAK na thotë që janë 7 milionë euro prona të sekuestruara dhe të përfituara masivisht nga ky grup kriminal që tashmë janë një pjesë e mirë e tyre e sekuestruar, del një arkitekt aty që del në përgjime. Del në përgjime me anëtarët e grupit, thonë është arkitekti Emre i cili do ndërmjetësojë për lejen e ndërtimit për një resort turistik tek kryeministri Edi Rama.
Po çuditërisht, ky arkitekti Emre që ka qenë edhe tek ky aktiviteti bujqësi dhe zemër, që ne e trajtuam gjerësisht dje në emision, na del edhe tek dosja e Zvërnecit. Madje është vetë kryeministri Edi Rama, që thotë, që një nga studiot projektuese në projektin e Zvërnecit është edhe studioja turke e këtij arkitektit Emre. Tani ne për këtë e kemi SPAK-un që të na sqarojë. Kush është roli i arkitektit Emre? Se ndoshta po i biem në qafë atij arkitektit, se unë nuk kuptoj nga arkitektura, kuptoj nga gazetaria, por t'ia dimë or vëlla. Mos po i biem në qafë këtij kryeministrit Edi Rama, se ndoshta këto lejet nuk i ka firmosur Rama?