Aksidenti i rëndë në Tiranë - Durrës, Humbi jetën shoferi, fëmija u rikthye në jetë! Nga 12 të plagosur, 7 rëndë

Një viktimë dhe 12 të plagosur! Ky është bilanci i aksidentit tragjil të ndodhur në orën 15:00 në , në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, ku një autobus doli nga rruga duke përfunduar në kanalin anësor. 

Bilanci konfirmohet nga policia me një njoftim të orës 18:00.

Autobusi me pasagjerë ishte nisur nga Berati për në kryeqytet, kur drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe mjeti ka përfunduar në kanalin anësor. Përplasja ka qenë aq e fortë sa që autobusi ka marrë para dhe barrierat e rrugës të cilat kanë depërtuar brenda mjetit. 

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi Redion Hasimi, 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Nga 12 të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore

Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor, informoi policia.

Shefi i Urgjencës te Spitali i Traumës, Agustin Suma, konfirmoi se 2 prej të plagosurve në gjendje të rëndë shëndetësore janë shtetas të huaj ndërsa shoferi Redion Hasimi mbërriti në spital pa shenja jete. Paraprakisht dyshohet se shoferi i mjetit ka pësuar infarkt dhe ka humbur kontrollin e mjetit.

Njoftimi i policise

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.