Mateus plas ‘bombën’ pas eliminimit të Gjermanisë: Sherre për familjarët dhe kaos brenda ekipit

Eliminimi i Gjermanisë nga Kupa e Botës pas humbjes me penallti ndaj Paraguait ka sjellë reagime të forta në vend.

Legjenda gjermane Lothar Matthäus ka zbuluar prapaskena që, sipas tij, ndikuan negativisht në atmosferën e kombëtares gjatë turneut.

Sipas ish-kapitenit, grumbullimi në SHBA u shoqërua me tensione të vazhdueshme për shkak të pranisë së familjarëve të futbollistëve.

Ai tha se kishte pakënaqësi mes lojtarëve për mënyrën se si ishin trajtuar familjet e tyre.

Sipas Matthäus, një lojtar u zemërua sepse nëna e një bashkëlojtari u lejua të udhëtonte me ekipin, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij jo.

Ai zbuloi gjithashtu se disa familjarë udhëtuan me ekipin, ndërsa të tjerë u detyruan të përdornin fluturime komerciale.

Ish-futbollisti kritikoi drejtuesit për mënyrën se si u menaxhua situata jashtë fushës.

Sipas tij, brenda ekipit pati debate të vazhdueshme që nuk dolën kurrë në media.

“Ka shumë gjëra që duhen marrë në konsideratë në fushën e lojës dhe jashtë saj. Gra, familjarë, të gjithë ishin të përfshirë. Nuk e kuptoj pse duheshin përfshirë familjet që në start”, u shpreh Matthäus për “Bild”.

“Një lojtar ishte i inatosur me një tjetër pasi e ëma e një lojtari u lejua të udhëtonte me ekipin, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tjetrit jo. Të tjerët u detyruan të fluturonin me avion komercial”, zbuloi ish-kapiteni i Gjermanisë.

Matthäus theksoi se fokusi i skuadrës nuk ishte vetëm te Kupa e Botës, por edhe tek organizimi i kohës me familjet.

Ai shtoi se do të kishte qenë më e arsyeshme që familjarët të bashkoheshin me ekipin vetëm në fazat finale të turneut.

“Fokusi nuk ishte vetëm te Kupa e Botës. Ishte një ditë me familjen pas një dite me familjen. Ata nuk kishin kaluar as dy javë në SHBA dhe menjëherë ishin me familjet e tyre. Do të kishte qenë më logjike që ato të bashkoheshin me ekipin vetëm në çerekfinale”, përfundoi ai.

Deklaratat e legjendës gjermane hedhin dritë mbi një atmosferë të trazuar, që sipas tij ndikoi drejtpërdrejt në dështimin e Gjermanisë në Botërorin 2026.