Protestuesit në qeli refuzojnë AP: Shabani nuk na përfaqëson
Të shoqëruarit në polici pas protestave të fundit përpara Parlamentit kanë refuzuar ndihmën e Avokatit të Popullit.
Gjatë një deklarate për mediat, Dritan Goxhaj deklaroi se ata kërkuan largimin e Avokatit të Popullit nga ambientet e shoqërimit, duke pretenduar se nuk i përfaqëson interesat e tyre dhe se nuk e pranojnë si përfaqësues, pasi është i emëruar nga një qeveri dhe parlament i krimit.
Ai u shpreh se të shoqëruarit janë në proces lirimi sapo të përfundojnë procedurat standarde të policisë, ndërsa theksoi se ndaj tyre nuk rëndon asnjë akuzë penale, por vetëm dyshimi për “kundërshtim të punonjësit të policisë”.
Sa i përket pretendimeve për dhunë gjatë shoqërimit, Goxhaj deklaroi se në ambientet e komisariatit nuk është ushtruar forcë fizike, por një incident ka ndodhur vetëm gjatë ndalimit përpara Parlamentit, ku një prej të shoqëruarve ka pësuar irritime nga përdorimi i sprajit lotsjellës dhe dëmtim të syzeve.
Pjesë nga deklarata:
Ka ardhur avokati i shtetit, por kur ai erdhi te të shoqëruarit, ne nuk pranuam ta kishim si përfaqësues. Kërkuam që ai të largohej, pasi nuk përfaqëson avokatin e popullit, pra avokatin e popullit, zoti Zhapani. Sipas nesh, ai është i emëruar nga një parlament i krimit dhe nga një qeveri e krimit, ndaj nuk mund të përfaqësojë dhe të mbrojë popullin. Nuk pranuam që të na takonte dhe as të hynte në qelitë tona. Të gjithë së bashku kërkuam largimin e tij të menjëhershëm nga qelia.
Të shoqëruarit e tjerë janë në proces lirimi. Pritet vetëm të përfundojnë procedurat e shoqërimit.
Do të kërkoni një procedim për shoqërimin? Një procedim apo...
Jo, nuk ka procedim. Ka vetëm një shoqërim me arsyetimin "kundërshtim i punonjësit të policisë". Vetëm kaq. Pra, bëhet fjalë për një dyshim që po verifikohet; nuk ka as akuzë dhe as ndonjë procedim tjetër.
Nuk di për personin që ndodhet në spital. Këtu nuk ka të ndaluar, por të shoqëruar. Të jemi të qartë: të gjithë jemi të shoqëruar. Njëri nga djemtë, gjatë ndërhyrjes së policisë, siç duket është prekur nga sprajti që është përdorur dhe ka pësuar disa irritime në lëkurë. Gjithashtu, gjatë momentit të shoqërimit nga policia, i janë dëmtuar edhe syzet. Ky është dëmtimi që ka pësuar. Dëmtime të tjera te personat që ndodhen këtu nuk ka.
Jo, gjatë shoqërimit nuk është ushtruar asnjë lloj dhune. E vetmja dhunë është ushtruar në momentin e ndalimit ndaj një pjese të të shoqëruarve, përpara Parlamentit. Pas kësaj nuk ka pasur ushtrim dhune apo incidente të tjera. Të jemi të drejtë dhe të ndershëm me atë që ka ndodhur, sepse edhe për këtë po protestojmë: që të thuhet e vërteta. Faleminderit.