Pamje nga lart nga aksidenti i rëndë në Tiranë-Durrës, mikrobuzi me pasagjerë përfundon në kanal

Syri TV sjell pamjet nga lart të aksidentit të ndodhur mesditën e sotme në autostradën Tiranë – Durrës pranë QTU-së. Mikrobuzi që transportonte pasagjerë ndërqytetas ka thyer barrierat trafikndarëse dhe ka përfunduar në kanal.

Bilanci deri tani është: një pasagjer ka humbur jetën, ndërsa 12 persona janë transportuar në Spitalin Universitar të Traumës.

Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se 7 prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po marrin trajtim të specializuar nga ekipet mjekësore.

Mes të plagosurve ndodhen edhe një fëmijë dhe një i mitur, ndërsa mjekët po ndjekin nga afër gjendjen e të gjithë të lënduarve.

Është i paqartë shkaku dhe rrethanat e aksidentit ndërkohë policia ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar.

Nga informacionet por ende të pakonfirmuara në mikrobuz udhëtonin 18 persona.

Në vendngjarje ndodhen autoambulanca, mjekë të ndihmës së shpejtë dhe 4 barrela.