Analiza e FIFA-s: veteranët si Ronaldo, Messi dhe Modric ‘ecin’, Kolumbia surpriza e Botërorit 2026

Grupi i Studimit Teknik të FIFA-s (TSG), i udhëhequr nga Arsène Wenger, ka publikuar përfundimet e para mbi tendencat taktike dhe statistikore të Botërorit 2026, pas përfundimit të fazës së grupeve. Raporti sjell disa gjetje të rëndësishme, duke filluar nga rritja e kohës efektive të lojës, deri te jetëgjatësia e jashtëzakonshme e lojtarëve veteranë dhe surpriza e madhe e Kolumbisë.

Sipas analizës, ky Botëror po regjistron kohën më të lartë efektive të lojës në histori, ndërsa mesatarja e golave për ndeshje ka arritur në 2.90, një rritje e ndjeshme krahasuar me edicionet e kaluara.

Një nga temat kryesore të raportit është performanca e ‘yjeve’ veteranë si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi dhe Luka Modrić. Ish-lojtarët Pablo Zabaleta dhe Gilberto Silva theksuan se karriera e futbollistëve elitarë është zgjatur ndjeshëm, duke bërë që lojtarë në prag të të 40-ave të vazhdojnë të luajnë në nivelin më të lartë.

“Futbollistët sot vazhdojnë të luajnë në nivel të lartë në moshën 38 apo 39 vjeç, gjë që më parë nuk ndodhte. Ky është rezultat i rikuperimit modern dhe kushteve të përkryera,” u shprehën ata.

Sipas tyre, lojtarë si Messi, Modrić dhe Ronaldo shpesh duken sikur “ecin” në fushë, por kjo është pjesë e inteligjencës së tyre taktike dhe menaxhimit të energjisë. “Messi, për shembull, ndonjëherë ecën, por e bën me qëllim, për të lexuar hapësirat dhe për t’u pozicionuar më mirë. E njëjta gjë vlen për Modrić-in dhe Ronaldon. Janë profesionistë të jashtëzakonshëm,” theksuan Zabaleta dhe Silva.

Ata shtuan se jetëgjatësia e këtyre karrierave lidhet edhe me stilin e jetesës jashtë fushës, përfshirë ushqimin e kontrolluar, rikuperimin profesional dhe punën e vazhdueshme me stafet mjekësore dhe fizioterapeutë.

Edhe Jon Dahl Tomasson vuri theksin te inteligjenca e lojtarëve të mëdhenj: “Diferenca mes lojtarëve të zakonshëm dhe atyre të mëdhenj është vendimmarrja në një fraksion sekonde. Kjo shihet te Mbappé, Kane, por mbi të gjitha te Messi. Ai mund të ecë, por në momentin e duhur përshpejton dhe krijon rast goli me një prekje të vetme.”

Raporti i FIFA-s veçoi gjithashtu Kolumbinë si surprizën më të madhe të turneut deri tani. Sipas analizës, mënyra si skuadra amerikano-jugore ka kontrolluar dhe dominuar taktikisht Portugalinë ka tërhequr vëmendjen e specialistëve.

“Kolumbia ka treguar rezistencë të jashtëzakonshme, cilësi në vrapim dhe dinamikë shumë të mirë loje. Nëse ruan këtë nivel dhe efikasitet në finalizim, ka potencial real për të shkuar shumë larg,” përfundon raporti i TSG.