Laksativi përmirëson funksionin e trurit tek pacientët me depresion
Një medikament kundër kapsllëkut është zbuluar se ka edhe një përdorim dytësor si antidepresiv dhe si trajtim për çrregullimet njohëse të lidhura me depresionin, si mungesa e përqendrimit dhe shpërqendrimi.
Sipas shkencëtarëve nga Universiteti i Birminghamit dhe Universiteti i Oksfordit, prukalopridi, një laksativ që stimulon receptorin e serotoninës në zorrë dhe në tru, i ndihmoi pjesëmarrësit që ishin trajtuar për simptomat e depresionit të merrnin vendime më shpejt dhe më saktë gjatë një sërë testesh njohëse.
Krahasuar me ata që morën placebo, pacientët që përdorën këtë ilaç shfaqën “përmirësim të ndjeshëm në rikujtimin e fjalëve në një test dëgjimor të të mësuarit verbal”, si edhe “kohë më të shpejta reagimi në një test kompleks të kujtesës së punës, pa humbje të saktësisë”, thanë studiuesit në një punim të botuar në qershor në revistën Psychological Medicine.
Serotonina është një substancë kimike që transmeton sinjale midis qelizave nervore në tru dhe në të gjithë trupin e njeriut, duke luajtur një rol qendror në gjumin, tretjen, humorin, shëndetin seksual dhe shërimin.
“Studimi ynë sugjeron se një medikament që vepron në mënyrë të synuar mbi receptorin e serotoninës 5-HT4, i përdorur tashmë për kapsllëkun kronik, mund të përmirësojë funksionimin njohës te njerëzit me histori depresioni”, tha Angharad de Cates nga Universiteti i Birminghamit.
“Dëmtimi njohës është një karakteristikë e zakonshme dhe e vazhdueshme e depresionit, megjithatë ai mbetet ende i kuptuar dobët dhe trajtohet në mënyrë të pamjaftueshme”, tha ekipi në punimin e tij, duke shpjeguar arsyet e ndërmarrjes së këtij studimi.
Sipas Susannah Murphy nga Universiteti i Oksfordit, lloji i medikamentit të përdorur në këto teste “mund të ndihmojë në rikthimin e disa aspekteve të funksionit njohës”, ndërsa shtoi se këto gjetje mund të përfaqësojnë “një drejtim të ri dhe premtues për zhvillimin e trajtimeve”./ DPA News