SYRI TV/ Vlorë, plazhet e Vlorës pa roje bregdetare, pushuesit: Jemi në dorë të zotit

Në plazhet e Vlorës mungojnë rojet bregdetare, duke sjellë mungesë sigurie për qytetarët që lahen në det. Nga një vëzhgim i SYRI TV në disa plazhe publike dhe private të Vlorës, kullat e vrojtimit janë bosh, pa personel për ruajtjen e qytetarëve. Pushuesit thonë se janë në dorë të Zotit, ndërsa bashkia nuk ka marrë asnjë masë për garantimin e sigurisë së tyre në plazhe.

Në kulmin e sezonit turistik, një nga problematikat më shqetësuese në vijën bregdetare të Bashkisë së Vlorës mbetet mungesa e vrojtuesve të plazhit. Pothuajse në të gjithë vijën bregdetare, si në plazhet publike, ashtu edhe në ato private, kullat e vrojtimit janë bosh.

Në shumë raste, ato përdoren nga pushuesit thjesht si vende për t’u ulur ose për të gjetur pak hije, ndërsa personeli që duhet të garantojë sigurinë në det mungon.

Gjatë një vëzhgimi të realizuar në plazhin publik të qytetit të Vlorës, aty ku frekuentuesit janë kryesisht të moshuar, konstatuam se, edhe pse tabelat informuese të Bashkisë së Vlorës sinjalizojnë se në këtë zonë nuk ka vrojtues plazhi, pushuesit shprehen se prania e tyre është e domosdoshme. Ata kërkojnë që institucionet të marrin masa për sigurinë në plazhe.

Kjo situatë përsëritet prej vitesh në vijën bregdetare të Vlorës. Megjithëse legjislacioni parashikon që stacionet e plazhit të jenë të pajisura me vrojtues të certifikuar gjatë orarit të funksionimit, mungesa e tyre vijon të jetë një problem i pazgjidhur. Madje, vetë Bashkia e Vlorës ka shpallur së fundmi vende pune për vrojtues plazhi dhe ka përcaktuar detyrimin që ata të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës në kullat e vrojtimit.