Arrestimi dhe dhunimi i protestuesve/ Qytetarët zhvendosen te Drejtoria e Policisë: Arrestoni Ballukun!
Një numër i madh qytetarësh dhe protestuesish janë mbledhur përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e aktivistëve të arrestuar nga uniformat blu teksa po protestonin paqësisht para Kuvendit në seancën e kësaj të marte.
Menjëherë pas shoqërimeve ata janë drejtuar te Drejtoria e Policisë me thirrjet për të liruar Dritan Goxhajn dhe aktorin Shkëlqen Bushi, që u tërhoqën zvarrë nga efektivët, në pamjet e publikuara dhe nga Syri.Net.
Ata iu drejtuan Policisë me kërkesë llogarie dhe apel që të arrestonte politikanët kriminelë dhe jo qytetarët.
“Arrestoni Ballukun, lironi protestuesit”, “Lironi djemtë tanë”, “Arrestoni Ramën”, ishin disa prej thirrjeve të qytetarëve.
Ata thanë se protestuesit u tërhoqën zvarrë, ndërsa pohuan se nuk do të lëvizin nga aty deri në lirimin e qytetarëve.
“Do të rrimë këtu, edhe nëse shkelin mbi trupat tanë!”, u shprehën ata teksa qëndronin para Policisë.
Prej disa orësh po vijon protesta në kryeqytet, ndërkohë që tubimi masiv do të vijojë edhe përgjatë mbrëmjes.