Arrestohet i dyshuari për vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Zlipotok të Komunës së Dragashit.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, kur Policia e Kosovës është informuar për një rast vrasjeje në këtë fshat. Viktima, i cili ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë), ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.
Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit.
“Si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore, Policia e Kosovës ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin B.H., i cili fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës. Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, për 48 orë është ndaluar edhe babai i tij, nën dyshimin për veprën penale ‘Mosdhënia e ndihmës’”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve./ RTK.