I mori 6 mijë euro drogë në Itali, 3 vlonjatë e marrin peng dhe e dhunojnë në varrezat e Babicës

Elton Qyno, Syri.net

Një sasi droge, e blerë kundrejt një çmimi prej vetëm 6 mijë eurosh në Romë të Italisë, është bërë shkak për marrjen peng dhe dhunimin me qyta pistolete e thika të një 20-vjeçari nga fshati Bunavi i Vlorës.

Megjithëse prishja e pazarit për drogën është bërë në Itali, ngjarja është lënë për t'u sqaruar në Shqipëri, ku Brajan Habazaj dhe dy vëllezërit Roberto Lapa alias Kapllani dhe vëllai i tij, Leandro Kapllani, nga fshati Risili i Vlorës, kanë marrë peng Edvis Demën, duke e dhunuar fizikisht në zonën e varrezave të fshatit Risili, si dhe te varrezat e fshatit Babicë të Vlorës.

Lidhur me këtë ngjarje, policia kriminale e Vlorës ka mbledhur prova konkrete, duke çuar në arrestimin e dy pengmarrësve, Brajan Habazaj dhe Leandro Kapllani, ndërsa autori tjetër, Roberto Lapa alias Kapllani, vijon të jetë në kërkim nga policia, por ndaj tij, qysh në muajin maj 2026, është vendosur masa e sigurisë "arrest në burg" në mungesë.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, dy personat e arrestuar dhe të mbyllur në burg nuk kanë pranuar të japin shpjegime për të treguar rrethanat e konfliktit.

Por i dëmtuari nga dhuna dhe pengmarrja, Edvis Dema, u ka treguar policisë se tre personave të mësipërm u ka rreth 6 mijë euro mall (drogë) borxh, kur ka qenë në Itali.

Ata janë rikthyer në Shqipëri dhe e kanë marrë peng, duke e dhunuar. Sipas tij, më 20 maj 2026, rreth orës 15:00, e ka telefonuar Brajan Habazaj, i cili i ka thënë se do të hanin drekë dhe e ka orientuar për nga Plazhi i Vjetër, ku aty kanë ardhur edhe dy personat e tjerë, Leandro Kapllani dhe Roberto Kapllani. Në këto momente e kanë dhunuar, duke e goditur me grushta, shkelma dhe me qytën e pistoletës në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe e kanë kanosur seriozisht për jetën.

Dema sqaroi në polici se Leandro Kapllani mbante një pistoletë në dorë, me të cilën e goditi me qytë dhe ia vendosi në kokë, duke e kërcënuar se do ta vriste po të mos i jepte borxhin për dy-tre ditë.

Ndërsa, sipas të dëmtuarit, Roberto mbante një thikë në dorë me përmasa të mëdha, jo si ato që kanë një destinacion përdorimi të caktuar për nevoja pune.

Edvis Dema ka treguar se fillimisht ka shkuar me automjetin e tij në Plazhin e Vjetër me Brajanin, me automjetin e tij "Ford" me targa AB554MY dhe, kur kanë shkuar aty, ka ardhur pas një automjet "Mercedes-Benz" me ngjyrë gri, me targa AA991PE, nga i cili kanë zbritur vëllezërit Leandro Kapllani dhe Roberto.

Pasi e kanë dhunuar fillimisht aty, e kanë futur me zor në automjetin e tyre "Benz" dhe kanë kaluar në rrugën "Transballkanike"-"Bypass", të shoqëruar nga pas nga automjeti i Edvisit, ku në drejtim të tij ka qenë Kapllani, dhe kanë ndaluar më tej në varrezat e Babicës. Aty e kanë mbajtur rreth dy orë, duke e dhunuar dhe i kanë bërë presion të rëndë psikologjik, duke i vendosur armën në kokë.

Sipas Edvis Demës, tre personat që e kanë marrë peng punojnë për një person, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë, dhe se gjithë aktivitetin e tyre në fushën e narkotikëve e zhvillojnë në qytetin e Romës, në Itali.