Rusi: 2 persona, përfshirë një foshnjë, u vranë në një sulm ukrainas me dronë

Autoritetet rajonale në Rusi thanë të martën se dy persona u vranë në një sulm ukrainas me dronë gjatë natës.

Një foshnjë 6-muajshe u vra dhe tre civilë u plagosën në rajonin e Moskës, tha guvernatori i tij, Andrey Vorobyov, në një deklaratë në platformën ruse të rrjeteve sociale Max.

'Natën e kaluar, një shtëpi private mori flakë në Jegorjevsk si rezultat i rrëzimit të një droni. Njerëzit mbetën të bllokuar nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit nxorën shpejt dy të rritur dhe dy fëmijë. Fatkeqësisht, një foshnjë gjashtëmuajshe vdiq gjatë rrugës për në spital', tha ai.

Sipas tij, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe të luftës elektronike neutralizuan 60 dronë ukrainas në disa zona, ndërsa mbetjet e dronëve të rrëzuar dëmtuan ndërtesa banimi dhe administrative në disa distrikte.

Në rajonin e Tverit, guvernatori në detyrë, Vitaly Korolyov, tha se një grua 61-vjeçare u vra kur mbetjet e një droni goditën shtëpinë e saj në distriktin Kimry.

'Do të donim edhe një herë të shfrytëzonim këtë mundësi për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtyre veprimeve kriminale të regjimit të Kievit', tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

'Civilët po vuajnë, fëmijët po vdesin. Ky është rezultati i veprimeve të regjimit të Kievit dhe të gjithë duhet ta dinë këtë dhe ta kujtojnë.'

Verifikimi i pavarur i pretendimeve ruse është i vështirë për shkak të konfliktit në vazhdim./ AA