Gjenerali amerikan: SHBA do të qëndrojë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike
Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve të tyre evropianë në mbrojtjen e vendeve baltike, tha të martën komandanti amerikan i forcave tokësore të NATO-s në Evropë, ndërsa aleanca caktoi një seli shtesë në rajon.
“Ju jeni gati të bëni më shumë dhe fjalët t’i pasoni me vepra, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë aty përkrah jush”, tha gjenerali amerikan Chris Donahue në një ceremoni në qytetin estonez të Valgës.
“Kështu ndërtohet parandalimi: Jo me fjalë nga një podium, por me çizme në baltë”.
Donahue, i cili do të heqë dorë nga posti i tij të enjten, shërben edhe si shef i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.
Trupat e NATO-s në shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, dhe në Poloninë veriore, deri më tani kanë qenë nën komandën e një selie të vetme shumëkombëshe me seli në qytetin veriperëndimor polak të Szczecin.
Krijimi i një zone të dytë komande i lejon aleancës t’u kushtojë më shumë trupa shteteve baltike. Për momentin, dy divizione shumëkombëshe në Estoni dhe Letoni do të jenë nën komandën e Korpusit Gjerman-Holandez me bazë në qytetin gjerman të Muensterit.
NATO ka thënë se Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në vitin 2022, mund të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në territorin aleat që në vitin 2029 nëse vazhdon të armatoset siç është tani. Kremlini i mohon këto plane.
Presioni mbi Evropën për të rritur mbrojtjen e saj është shtuar pas kritikave nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili akuzon bllokun se nuk po përdor peshën e tij ushtarake.