Bounou hyn në histori të Botërorit: askush si portieri i Marokut te penalltitë
Yassine Bounou vazhdon të shkruajë faqe historike në Kupën e Botës. Pas kualifikimit dramatik të Marokut ndaj Holandës, të vendosur nga penalltitë, portieri maroken ka vendosur një rekord të ri absolut në historinë e Botërorit.
Ai është bërë portieri me më shumë penallti të pritura ose të humbura nga kundërshtarët në seritë e 11-metërshave në Kupën e Botës, plot 6 të tilla. Me këtë shifër, Bounou lë pas disa prej emrave më të mëdhenj në historinë e portës si Sergio Goycochea, Cláudio Taffarel, Danijel Subašić dhe Dominik Livaković, të gjithë me nga 5 pritje në këtë aspekt.
Edhe një herë, Bounou ishte protagonisti kryesor në një moment vendimtar për Marokun. Në serinë e penalltive ndaj Holandës, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm duke udhëhequr ekipin drejt kualifikimit, me pritje që rezultuan përcaktuese për fatin e ndeshjes.
Pas heroizmave të Botërorit 2022, portieri maroken po konfirmon edhe në Botërorin 2026 se është një nga specialistët më të mëdhenj të penalltive në historinë e futbollit botëror. Siguria, qetësia dhe instinkti i tij në momentet vendimtare po e shndërrojnë atë në një figurë të pazëvendësueshme për “Luanët e Atlasit”.
Bounou nuk është më vetëm një portier vendimtar, por një rekordmen që po lë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kupës së Botës.