Interi përshëndet ‘murin’ De Vrij: 8 vite, 9 trofe dhe një premtim i mbajtur
Interi i ka dhënë lamtumirën Stefan De Vrij-it, mbrojtësit holandez që pas tetë sezonesh largohet nga zikaltrit si një nga shtyllat kryesore të dekadës së fundit, me destinacion të ri Panathinaikosin në Greqi.
Kur mbërriti në Milano, De Vrij kishte bërë një premtim që u bë simbol i karrierës së tij në “San Siro”: të ndërtonte një “mur” në mbrojtjen e Interit. Tetë vite më vonë, klubi e përshkruan atë si një projekt të përfunduar me sukses, të ndërtuar “tullë pas tulle”, me stabilitet, qetësi dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm.
Gjatë periudhës së tij tek Interi, holandezi u shqua si një mbrojtës elegant në dalje me top, i saktë në ndërhyrje dhe dominues në duelet ajrore. Performanca e tij kulmoi në sezonin 2019/20, kur u shpall Mbrojtësi më i mirë i Serisë A, duke konfirmuar rolin e tij si lider në qendrën e mbrojtjes.
De Vrij ka lënë gjithashtu gjurmë të rëndësishme në aspektin ofensiv, me 13 gola të shënuar, tre prej të cilëve në derbin e Milanos. Njëri prej tyre mbetet i paharrueshëm: në shkurt 2020, me një gol me kokë që ndihmoi përmbysjen nga 0-2 në 4-2 ndaj Milanit, në një nga mbrëmjet më të bukura në “San Siro”.
Me kalimin e viteve, ai u shndërrua në një pikë referimi për ekipin, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit në ndeshje të ndryshme të Serie A dhe Champions League. Edhe në momentet më të vështira apo gjatë dëmtimeve, De Vrij ka qenë gjithmonë i gatshëm të japë maksimumin.
Në total, ai largohet nga Interi me 296 paraqitje, 13 gola, 8 asistime dhe një koleksion të pasur trofesh: tre tituj kampion në Serie A, tri Kupa të Italisë dhe tri Superkupa italiane.
Interi e përmbyll kështu një kapitull të rëndësishëm, duke e përshkruar De Vrij si një “mur të fortë dhe të qëndrueshëm”, i cili e mbajti premtimin e tij dhe u bë një nga figurat më të besueshme të historisë së fundit zikaltër.