Shefi i sigurisë amerikane ‘kërcen nga gëzimi’ pas eliminimit të Iranit nga Botërori
Sekretari i Departamentit të Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, Markwayne Mullin, ka deklaruar se ka “vallëzuar nga gëzimi” kur Irani u eliminua nga Kupa e Botës 2026.
Irani mbeti jashtë fazës së grupeve për shkak të golaverazhit, pasi një gol i shënuar në minutat shtesë ndaj Egjiptit u anulua për pozicion jashtë loje shumë të diskutueshëm.
Trajneri Amir Ghalenoei e cilësoi kombëtaren e tij si “më të shtypurën” në turne, duke iu referuar tensioneve politike mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.
Përpara fillimit të Botërorit, baza stërvitore e Iranit u zhvendos nga Arizona në Tijuana të Meksikës dhe ekipi u përball me kufizime të shumta në udhëtime gjatë gjithë turneut.
Pavarësisht barazimit 1-1 me Egjiptin të shtunën, Irani ende kishte shpresa për kualifikim si një nga tetë ekipet më të mira të vendeve të treta. Megjithatë, eliminimi i tyre u konfirmua të dielën, pas barazimit 3-3 mes Algjerisë dhe Austrisë.
Duke folur për mediat të hënën, Mullin u shpreh: “Jam thjesht i lumtur që ata mbaruan dhe nuk po kthehen më.”
“Jam ndier shumë i gëzuar kur arritëm t’u hiqnim vizat dhe t’u thoshim se mund të largoheshin nga territori amerikan, dhe madje mund të kem kënduar ndonjë këngë apo edhe të kem bërë një kërcim nga gëzimi.”
Ai shtoi: “Nuk ka pasur asnjë ekip tjetër me të cilin kemi pasur më shumë punë sesa Irani.”
Sipas rregullave të vizave, Irani lejohej të hynte në SHBA vetëm një ditë para ndeshjeve të para dhe duhej të largohej në të njëjtën ditë me përfundimin e tyre.
Këto kufizime u lehtësuan vetëm për ndeshjen e fundit në Seattle, duke i lejuar të mbërrinin dy ditë më herët, por pas ndeshjes u detyruan sërish të ktheheshin në Tijuana.
Trajneri Ghalenoei tha se SHBA, si bashkorganizatore e Botërorit me Kanadanë dhe Meksikën, e ka trajtuar ekipin e tij “shumë padrejtësisht” dhe se përgatitjet e skuadrës kanë qenë të kufizuara në mënyrë të ndjeshme.
Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, shtoi: “Ky lloj tensioni e prish gëzimin e Kupës së Botës. E ndjeva këtë presion që në momentin e parë kur mbërritëm.”