‘Albanian Files’, prova kundër qeverisë'/ Këlliçi: Nuk është libri i opozitës, por i njerëzve të Ramës
Libri "Albanian Files" ishte në qendër të fjalës së deputetit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke e cilësuar atë si një "aktakuzë" ndaj modelit të qeverisjes së Edi Ramës, Këlliçi pretendoi se botimi përmban prova mbi mënyrën se si, sipas tij, janë marrë vendime për projekte publike, investime dhe zhvillimin urban në vend.
Këlliçi: Të nderuar qytetarë,
Sot nuk jam para jush me opinione. Vij me prova. Prova që shpjegojnë pse prej 30 ditësh mijëra shqiptarë protestojnë çdo mbrëmje në bulevard. Prova që shpjegojnë pse ne kërkuam një mocion me debat në këtë Kuvend, dhe pse mazhoranca zgjodhi ta refuzojë. Dhe ja ironia e parë, më e rënda: shumicën e këtyre provave nuk i ka mbledhur opozita. I kanë shkruar, me dorën e tyre, njerëzit që kanë qenë më pranë Edi Ramës. Prandaj sot nuk flas me fjalët e mia. Flas me faktet e tyre.
PROVA NR. 1
Përse protestojnë shqiptarët? Prej 30 ditësh qytetarët janë në shesh. Ata nuk protestojnë për një parti, për një slogan apo për një aferë të vetme. Ata protestojnë kundër një modeli. Një modeli që e ka kthyer shtetin në pronë private.
Një model ku ligjet ndryshohen sipas porosisë së klientit. Ku zonat e mbrojtura shihen si mundësi biznesi. Ku trashëgimia kulturore trajtohet si pengesë për betonin. Dhe ku investimet strategjike janë kthyer në privilegje strategjike, të shpërndara me dorë, jashtë çdo procedure ligjore.
Pikërisht për këtë kërkuam një debat parlamentar. Sepse ky Kuvend nuk mund të sillet sikur jashtë këtyre mureve nuk po ndodh asgjë. Ju e refuzuat debatin. Por nuk mund të refuzoni realitetin.
Ironia shkon më tej.
Ju ia dolët që shqetësimet e shqiptarëve të diskutohen në Parlamentin Europian, ndërsa këtu, në Kuvendin që i përfaqëson ata, nuk lejoni asnjë fjalë. Më 17 qershor, dy javë më parë, Parlamenti Europian miratoi rezolutën P10_TA (2026) 0217 mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku kërkoi shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Ndërkohë, këtu, heshtje. Madje dymbëdhjetë deputetët që propozuan ato amendamente:
1. Fadil Nasufi,
2. Florenc Spaho,
3. Arkend Balla,
4. Edona Bilali,
5. Bujar Cela,
6. Anduel Tahiraj,
7. Shpresa Marnoj,
8. Mirela Pitushi,
9. Denis Deliu,
10. Klodiana Spahiu,
11. Ensemvlera Zake dhe
12. Eduard Ndreca
ende nuk kanë dhënë asnjë shpjegim, asnjë reflektim për propozimet që i hapën rrugën shkatërrimit mjedisor të vendit, nga njëri skaj në tjetrin.
PROVA NR. 2
“The Albanian Files”
Në mes të kësaj proteste del nga shtypi libri “The Albanian Files”.
Dua ta them që në fillim, qartë: ky libër nuk është problemi. Ky libër është prova, pasi mjafton të jetosh në Shqipëri çdo ditë për të ditur gjithçka faktohet në këtë libër. “Smoking gun”, do të thoshin amerikanët.
Sepse për 13 vite me radhë, një rresht i tërë arkitektësh ndërkombëtarë i kanë dhënë këtij modeli atë që paratë nuk mund ta blejnë vetë: pseudoprestigjin.
Çdo kullë e re, çdo render, ka shërbyer si perde, për të penguar pyetjen e thjeshtë se nga vijnë këto para, kush fshihet pas tyre, dhe kush, në fund, do të mund të jetojë vërtet në këto ndërtesa. Dhe ja që sot, vetë ata e kanë mbledhur këtë dëshmi në këto shtatëqind e pesëdhjetë faqe.
Ky nuk është libër i opozitës. Nuk është pamflet politik. Është libri i njerëzve që e kanë projektuar Shqipërinë e Edi Ramës si çifligun e tij privat. Arkitektë, studio ndërkombëtare, konsulentë, njerëzit që kanë qenë në zemër të projekteve më të mëdha të kësaj qeverie. Dhe pikërisht këtu qëndron pesha e tij. Flet vetë rrethi që kryeministri ka zgjedhur për të ndërtuar planin e tij mbi çdo pëllëmbë të këtij vendi.
Vini re një detaj që rrëfen gjithçka: në një vëllim prej shtatëqind e pesëdhjetë faqesh mbi të ardhmen e Shqipërisë, nuk gjendet pothuajse asnjë arkitekt shqiptar. Vendi shfaqet jo si atdhe me qytetarë, por si tokë e lirë, “terra incognita”, ku të huajt zbresin nga avioni për të zbuluar natyrë “të paprekur” dhe vendas të bindur e të nënshtruar.
PROVA NR. 3
Si merren vendimet: me një telefonatë
Lejomëni t’ju lexoj një histori të shkruar brenda këtij libri. Një nga arkitektët më të njohur në botë rrëfen se ndodhej në Santiago të Kilit kur mori një mesazh:
“Benedetta Tagliabue më shkroi duke më pyetur nëse isha dakord që numri im t’i jepej kryeministrit të Shqipërisë. I thashë: sigurisht. Pesë minuta më vonë më kontaktoi vetë kryeministri, duke më pyetur nëse mund të vija në Tiranë për të diskutuar një projekt. Kështu, në ditët e fundit të majit, kalova rreth njëzet e katër orë në Shqipëri. Që atëherë jam kthyer edhe katër herë të tjera.”
Dhe sot, në zemër të Tiranës, po ngrihet një projekt me dhjetëra miliona euro, që e ka zanafillën pikërisht në atë telefonatë. Dhe ky nuk është rast i izoluar, libri është plot me të tilla. Njëri rrëfen se kryeministri i shkroi në Instagram. Tjetri se mori një telefonatë në mesnatë, sepse “Edi” do t’i fliste.
Modeli është gjithmonë i njëjti, dhe arkitektët e pranojnë vetë, pa drojë, madje me mirënjohje: flasin për “një lider vizionar”, për një kryeministër “të përfshirë personalisht”, për “fleksibilitetin e rregullave” si virtyt. Njëri prej tyre e thotë troç se në Shqipëri gjërat “duhet të bëhen nga lart-poshtë”.
Dëgjojeni mirë këtë gjuhë, sepse aty është gjithë problemi. Kjo është gjuha e dikujt që e do pushtetin pa kufij, sepse kufiri, ligji, gara, konsultimi, vota, për të është pengesë.
Kam një pyetje për ju, dhe një pyetje për prokurorët e SPAK-ut: a ndërtohet kështu një kryeqytet europian? Me një telefonatë? Me një takim njëzet e katër orësh? Pa debat publik, pa transparencën më të vogël, pa asnjë konkurrencë të hapur?
Sepse problemi nuk është që kryeministri flet me arkitektë. Problemi është që vendimi mbi pasurinë publike lind nga marrëdhënia personale me kryeministrin, jo nga institucionet.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në vendin ku telefoni zëvendëson ligjin, ku dëshira zëvendëson planifikimin, ku qytetarët mësojnë për një projekt vetëm kur vinçat janë futur tashmë në punë. Ky nuk është standard europian. Ky është pushtet personal i kthyer në grabitje.
PROVA NR. 4
Letra që nuk duhej botuar
Në këtë libër gjendet edhe një letër e arkitektit holandez Reinier de Graaf, drejtuar kryeministrit. Ironike a jo, po e them sinqerisht: kur e lexova, nuk u ndjeva i fyer si opozitar. U ndjeva i fyer si shqiptar.
Sepse në atë letër, ky zotëri i lutet kryeministrit që zgjedhjet e radhës thjesht të mos mbahen. Shkon edhe më tej: shpreson që Shqipëria të mos ketë më kurrë zgjedhje, dhe që Edi Rama, pas mandatit të pestë, të vazhdojë si president i përjetshëm, “madje, ndoshta, edhe Mbret”. Këtë e quan “sakrificë me rëndësi të jashtëzakonshme” për Edi Ramën.
A do të guxonte ky arkitekt t’ua jepte të njëjtën këshillë bashkëqytetarëve të tij në Holandë, apo në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian? Sigurisht që jo. As nuk i shkon nëpër mend.
Ndaj e udhës do të ishte që ne të ngremë një komision hetimor për të shqyrtuar të gjithë procedurat sesi arkitektë të tillë kanë përfituar miliona euro projekte në vendin më të varfër të Europës dhe se çfarë lobimi u është kërkuar në këmbim.
Por problemi nuk është letra. Problemi është se ajo letër u përzgjodh, u botua dhe u bë pjesë e librit nga vetë Edi Rama. Pa asnjë distancim. Pa asnjë reagim. Çfarë mesazhi i jep kjo botës? Se Shqipëria është një vend ku zgjedhjet mund të anulohen? Ku demokracia është luks i tepërt?
Ne jemi një popull që jetoi 45 vjet pa zgjedhje. Ne nuk e kemi luksin të luajmë me kujtesën tonë, e aq më pak me standardin e zgjedhjeve të lira, të njëjtat zgjedhje që, siç u tha edhe në Parlamentin Europian nga eurodeputeti Andreas Schieder, ende e kanë të pamundur të sjellin rotacion politik në Shqipëri, për shkak të lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar dhe blerjen e votes.
PROVA NR. 5
Nga arkitektë, në patronazhistë
Lexoni më tej kontributin e studios Bolles+Wilson. Aty nuk gjeni vetëm arkitekturë. Gjeni politikë. Gjeni sulme ndaj opozitës. Gjeni manipulim të historisë sonë politike. Gjeni, me një fjalë militantizëm politik, fenomen i pahasur deri më sot me asnjë studio ndërkombëtare arkitekture.
Kjo studio, që ka bërë ç’ka dashur me qytetin e Korçës, e quan Partinë Demokratike “forca politike ish-komuniste”.
Pra partia që rrëzoi komunizmin në Shqipëri quhet ish-komuniste, ndërsa partia që në qershor 1991 thjesht ndërroi emrin nga Partia e Punës në Partia Socialiste quhet “forcë progresiste dhe moderne”. Historia përmbyset, dhe përmbyset nga njerëz që paguhen me para publike, thënë shkoqur: paratë e shqiptarëve.
Pyetja lind vetvetiu: çfarë e shtyn një studio ndërkombëtare arkitekture të flasë si patronazhist dhe të manipulojë historinë? Pse njerëz që përfitojnë projekte publike ndihen të detyruar të mbrojnë politikisht qeverinë? A është kjo rastësi, apo kultura që prodhon klientelizmi dhe korrupsioni?
PROVA NR. 6
Edhe Europa po thotë të njëjtën gjë
Ndërsa qytetarët protestojnë në Tiranë, Parlamenti Europian ngre saktësisht të njëjtat shqetësime. Kritikë për ligjin e investimeve strategjike. Kritikë për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Shqetësim të hapur për Vjosë-Nartën. Kërkesë për transparencë, për konsultim publik, për respektimin e standardeve europiane.
Pra qytetarët që janë në shesh nuk janë kundër Europës. Ata po e kërkojnë Europën. Ata po kërkojnë pikërisht ato standarde që kjo qeveri po i shkallmon, gur pas guri, plazh pas plazhi, mal pas mali.
Të nderuar shqiptarë,
Ky libër apo më mirë nga tash e tutje “kjo dosje”, zgjedhje profetike ajo që kanë bërë për ta quajtuar dosje, nuk është personazhi kryesor i kësaj historie. Personazhi kryesor janë qindra mijëra shqiptarët që prej 30 ditësh dalin çdo mbrëmje në bulevard, dhe që siç u tha mbrëmë dhe nga disa eurodeputetë të pranishëm në shesh, janë bërë shembull frymëzimi edhe për vendet më të zhvilluara perëndimore.
Ata nuk kanë para. Nuk kanë zyra arkitekture. Nuk kanë kontrata me miliona euro. Nuk shfaqin luks. Ata kanë vetëm ndërgjegjen e tyre. Dhe historia na ka mësuar një ligj të vetëm: kur ndërgjegjja e qytetarit përplaset me arrogancën dhe lakminë e pushtetit, në fund përherë fiton qytetari.
Ju faleminderit.