Trafikonte drogë me postë nga SHBA, arrestohet amerikania në Tiranë

Policia ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar.

Një amerikane 48 vjeçare me iniciale Sh.I, e cila banonte në vendin tonë, kishte porositur një pako të ardhur nga SHBA. Gjatë kontrollit të saj u konstatuan karamele me lëndë të dyshuar narkotike canabis sativa në formë xhelatine, me një peshë totale prej rreth 572 gramësh.

Fillimisht rasti është zbuluar në doganë dhe më pas, për të identifikuar marrësin e dërgesës, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar.

Një agjent i Antidrogës, i infiltruar si postier, dorëzoi pakon në adresën e shtetases amerikane. Menjëherë pasi ajo e mori në dorëzim, efektivët ndërhynë duke e arrestuar në flagrancë.

Gjatë marrjes në pyetje, shtetasja amerikane ka deklaruar se nuk kishte porositur asnjë lëndë të jashtëligjshme dhe se pakoja e sekuestruar nuk ishte porositur prej saj.